Policia e Tiranës në bashkëpunim me Bashkinë e kryeqytetit, kanë hartuar një plan masash për parandalimin dhe trajtimin e fenomenit të lypjes së fëmijëve në rrugë.
Plani i masave ka si qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e keqtrajtimit dhe shfrytëzimit në situatë rruge, identifikimin dhe dhënien e ndihmës së menjëhershme, si dhe referimin e rasteve në organet kompetente.
Gjithashtu ka si qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e fenomenit të lypjes nga fëmijët në rrugë, rritjen e ndërgjegjësimit të gjithësecilit për këtë fenomen, si dhe zbatimin e ligjit për procedimin penal të prindërve ose të kujdestarëve ligjorë të fëmijëve, nëse do të konstatohen raste të shfrytëzimit të tyre.
Në kuadër të këtij plani masash janë ngritur grupe pune të posaçme me punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të komisariateve në varësi të saj, të Skuadrave të Terrenit të Shërbimeve Sociale dhe të Bashkisë Tiranë, të cilët kanë një rol kyç në ecurinë e këtij procesi.
Këto grupe pune po monitorojnë në terren, me qëllim identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.
Kontrollet kundër këtij fenomeni të paligjshëm, do të vijojnë.