Polonia i ka dhënë një përgjigje deklaratës së presidentit të vetëshpallur bjellorus Aleksandër Lukashenkos, i cili shprehu dëshirë të papritur për të rregulluar marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Ne jemi fqinjë dhe nuk i zgjedhim fqinjët tanë, ata janë nga Zoti”.- tha Lukashenko.
Kësaj deklarate, Paweł Jabłoński, zëvendësministër i Jashtëm i Polonisë, iu përgjigj duke thënë se nëse Lukashenko do përmirësim të marrëdhënieve, zgjidhja është e drejtpërdrejtë, të ndalohen provokimet në kufi dhe të lirohen të burgosurit.
“Nëse Bjellorusia me të vërtetë kërkon marrëdhënie pozitive me Poloninë, zgjidhja është e drejtpërdrejtë. Ndaloni provokimet në kufi, lironi Andrzej Poczobut dhe të burgosurit e tjerë nga burgjet bjelloruse”, tha ai.
Ai shtoi se këto vendime i takojnë vetëm qeverisë bjelloruse.
Jabłoński tha se Polonia nuk ka pasur kurrë qëllime armiqësore ndaj Bjellorusisë dhe dëshiron marrëdhënie miqësore.
Megjithatë, ai ia atribuoi marrëdhëniet e tensionuara aktuale sjelljes së autoriteteve bjelloruse, duke shtuar: “Përgjegjësia për marrëdhëniet tona qëndron drejtpërdrejt tek autoritetet bjelloruse, të cilat kanë shfaqur sjellje armiqësore ndaj Polonisë”.
Për kontekstin, Lukashenko ka akuzuar më parë Poloninë për përgatitjen e agresionit kundër Bjellorusisë.