Lorenc Vangjeli
Vendimi i gjykatës së Tiranë, në të njëjtën ditë që Evropa u gdhi pa Britaninë e Madhe, tregoi se Shqipëria është ende shumë pak Evropë.
Prokuroria e kryeqytetit më herët dhe gjykata më pas, konsideruan të mbyllur të premten, të paktën përkohësisht, bastin mes kryetarit të opozitës dhe ministrit të shëndetësisë. Një bast që ka nisur në shkurt të këtij viti, kur Ilir Beqja paditi për fyerje dhe shpifje Lulzim Bashën. Dhe që nuk do të bitisë edhe mbasi të kapërcejë më tej në dy hallkat e tjera të gjyqësorit shqiptar, në apel dhe gjykatën e lartë, me ritmet me të cilat drejtësia shqiptare është mësuar të japë drejtësi.
Pretendimet e palëve janë të thjeshta dhe të kundërta, siç janë zakonisht skajet e bastit.
Basha mendon se Rama dhe Beqja “…janë hajdutë dhe se llogaria e ministrit të shëndetësisë ka shkuar në 31 milionë euro tendera”.
Beqja kërkon gjykimin dhe dënimin penal të “…shtetasit Lulzim Basha për kryerjen e veprave penale të fyerjes dhe të shpifjes të kryera botërisht”.
Gjykata thotë se kryetari i opozitës bën politikë.
Gjykata thotë se Beqja nuk ka faj, por duhet të durojë çfarë i thonë sepse është në politikë.
Basha pafajësinë e tij që i dha gjykata e konsideron si legalizim të deklaratave të tij kundër dyshes Rama-Beqja.
Beqja premton se do të vazhdojë ta ndjekë këtë çështje edhe më tej i bindur se shpifja e Bashës e ka fyer rëndë atë dhe shumicën të cilës i përket.
Të dy së bashku në mënyrën e tyre të ndryshme, po vazhdojnë të bëjnë politikë, sipas ritmit tashmë të njohur në Tiranë: ndarjen gjithmonë e më larg të palëve në mendime, gjykime dhe reagime. Në të gjitha rrethanat e tjera, pavarësisht këtij vendimi dhe të tjerëve të ngjashëm apo të ndryshëm në të nesërmen, mbi 90 për qind e shqiptarëve do të jenë skeptikë për drejtësinë e tij. Ata do të besojnë se gjyqtarët kanë vendosur nën presion politik apo se e kanë shitur vendimin për favore politike.
Sfida për shëndetësinë që Rilindja e djeshme premtoi se do ta fitonte, ishte realisht më e vështira e mundshme. Më shumë truk e lodër fjalësh, më shumë shpenzim i përbashkët i shoqërisë për individin kur të ketë nevojë, “shëndetësia falas” është një mënyrë gjykimi që ndan tashmë të majtën nga e djathta. Si filozofi dhe si mënyrë konkrete zbatimi. Ajo është dhe një sfidë gjithëherët e vështirë për të qenë e fituar pa asnjë mëdyshje. Sepse në të gjitha rastet, absolutisht në të gjitha rastet, beteja për jetën dhe shëndetin në epilog të saj, fitohet nga vdekja dhe ky fakt le gjithkënd të mllefosur me mjekësinë.
Problemi është sesa beteja mund të fitohen për jetën përpara asaj beteje finale, çfarë cilësie jete afrohet dhe sa parandalohet dëmtimi i cilësisë së saj qoftë nga padija, qoftë nga mungesa e shërbimit të duhur.
Nuk ka pikën e rëndësisë nëse çmimet e ilaçeve janë ulur dhe se me të njëjtën sasi lekësh blihen më shumë ilaçe se më parë. Nuk ka pikën e rëndësisë që furnizimi i spitaleve është i përmirësuar.
Nuk vlen pothuaj asgjë që janë blerë dhe vënë në funksionim pajisje të reja apo dhe se fundja kirurgët nuk do të operojnë më me instrumenta të viteve 70-të. Të gjitha këto janë pjesë e realitetit që afron përditë Edi Rama e Ilir Beqja. Të gjitha këto fatmirësisht quhen thjesht dhe vetëm shërbim dhe harrohen në çastin e parë cinik kur në një moment të caktuar mungojnë medikamentet e shtrenjta për kimioterapi, kur diku gjetkë vihet një diagnozë e gabuar, kur në telefonin e të afërimit të pacientit të vdekur vjen një sms e programuar të kërkojë transparencë dhe kur dyshimet helmojnë drejtësinë e tenderave apo koncesioneve të dhëna.
Në të kundërt, falë Lulzim Bashës, teprimeve të zakonshme të stilit të të bërit opozitë në Tiranë me baltë në bllok, falë kostos vetjake, njerëzore dhe politike që Beqja po paguan ditë mbas dite, falë bastit mes kryetarit të opozitës dhe ministrit të shëndetësisë, debate të tilla janë pronë e publikut.
Steka është ngritur në një lartësi nga ku nuk mund të ulet më. Shëndetësia nesër, cilado qoftë ngjyra në qeverisje, nuk do të jetë karrigia e fundit në tryezën ovale të qeverisë. Qoftë dhe vetëm për këtë, vlen të konsiderohet se kjo është arsyeja që shpjegon se të këqiat nuk vijnë vetëm për të bërë keq. Qoftë dhe për këtë arsye, vendimi i gjykatës së Tiranës, në të njëjtën ditë që Evropa u gdhi pa Britaninë e Madhe, tregoi se Shqipëria është ende shumë pak Evropë.