Skuadra e Liverpool ka në dispozicion 10.236 bileta për një stadium që ka një kapcitet prej 35.000 vendesh, me rastin e finales së Europa League që do të zhvillohet 18 majin e ardhshëm në stadiumin e Bazelit “St Jakob-Park”. Disa shitës po kërkojnë të përfitojnë në maksimum nga kapaciteti i vogël i impiantit, duke rritur ndjeshëm çmimet e biletave. Bileta më e shtrenjtë kushton 39 mijë euro, ndërsa ajo më e lira kushton 977 euro. Faqja e internetit “Ticketbits”, pasi ka analizuar të gjitha të dhënat, ka zbuluar se çmimi mesatar është 715 euro, pothuajse dyfishi i mesatares kur Chelsea është përballur me Benfica-n në finalen e 2013-ës (360 euro)
Drejtuesi i “Ticketbits”, Ander Michelena, ka thënë se: “Pavarësisht se ekipet angleze nuk janë paraqitur aq mirë sa ato spanjolle në Europë, në vitet e fundit, ato vazhdojnë të prodhojnë kërkesa të mëdha për bileta. Nëse marrim në konsideratë pesë finalet e fundit të Europa League, shikojmë se çmimet më të shtrenjta janë regjistruar në ndeshjet ku janë përfshirë dy skuadra të Premier League, Chelsea dhe Liverpool”. Ndërkohë, trajneri Jurgen Klopp ka qenë i detyruar të tërhiqet mbrapa pasi i ka bërë ftesë tifozëve të Liverpool, të cilët nuk kanë biletë, që të udhëtonin drejt Bazelit me rastin e finales. Më vonë ai ka pranuar se sugjerimi i tij nuk ka qenë “shumë i zgjuar” dhe i këshilloi tifozët që ta ndiqnin finalen me miqtë dhe familjarët e tyre.