Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi, çeli fjalimet në protestën e opozitës që ka nisur tashmë në sheshin para Kryeministrisë.
Ndër të tjera Boçi e cilësoi godinën e qeverisë si kuplara, ndërsa tha se protestën e sotme e kishte thirrur rezistenca.
“Sot nuk jemi mbledhur për spektakël politik as për tu numëruar nga dronët vampirë të medias së Edi Ramës. Nuk jemi mbledhur sot as për tu parë me urrejtje nga perdet e dritaret e frikës së pushtetit dhe as për të shpërndarë urrejtje për krimbat.
Ne jemi këtu sepse vlerësojmë jetën, na ka thirrur dashuria për familjen, dinjiteti ynë, rezistenca. Jemi thirrur këtu nga ndërgjegjia, sepse Shqipëria jonë nuk e duron më faktin që të drejtohet nga një njeri që e ka kthyer shtetin në pronë private dhe qeverinë në klub të mbyllur qejfi dhe ahengu. Kjo ndërtesë nuk është kryeministria por kuplaraja e shtetit. Dhe ne duhet ta shembim këtë pushtet dhe aty nuk është vendi i qeverisë por vendi i hajnisë. Është detyrë e historisë, para të gjithë qytetarëve. Këtu vjedhja ka emër dhe shifra, fillon me inceneratorët, më pas me tunelet, aeroportet. Pak për indiferencën tonë politike, pak nga verbëria e ndërkombëtarëve, më së shumti nga krimi i organizuar, e ktheu Republikën e Shqipërisë, në Republikën e korrupsionit”, tha Boçi.

















