Kryeministri Edi Rama zhvillon një bashkëbisedim me fermerë e sipërmarrës në Cërrik. Sipas Ramës ndihet nevoja për t’u afruar gjithnjë e më shumë me aktivitetin e sipërmarrjes në fshat.
“Arsyeja pse jemi mbledhur këtu sot ka të bëjë me nevojën tonë për të dëgjuar nga më afër dhe në mënyrë më të strukturuar këndvështrimet tuaja, sipas fushave të ndryshme të aktivitetit në këtë hapësirën e madhe të zhvillimit rural, ku gjatë gjithë periudhës së fundit të kontakteve intensive me njerëzit në fshat, për shkak të procesit elektoral, kemi krijuar ndjesinë që jemi në nevojën për tu afruar më shumë, në aktivitetin e tyre të sipërmarrjes në fshat”, u shpreh kreu i qeverisë në nisje të këtij takimi, që duhet theksuar është i pari i kësaj natyre, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Sipas kryeministrit, qeveria do mundohet të gjejë rrugën që ky kontakt të jetë më i frytshëm dhe garantues. Rama pohoi se kur është bërë reforma administrative territoriale, bashkitë janë zgjeruar në përmasën e hapësirës rurale. Rrjedhimisht, sipas tij vëmendja ndaj këtyre zonave duhet të ishte shumë më e madhe nga ç’është aktualisht.
“Jemi në një pikë që duhet të garantojmë një kthesë në këtë drejtim, sepse ende sot nuk kemi asnjë ndërmarrje të vetme bujqësore të krijuar me kontributin dhe bashkëpunimin e fermerëve, sipërmarrësve dhe strukturave të pushtetit vendor”, theksoi kryeministri.
Pavarësisht tentativave, tha se nuk është krijuar akoma një model efektiv. Ndaj ai deklaroi se është në dispozicion edhe një linjë të re kredie nga BSH, në vlerën e 250 mln euro, një shumë për t’u dhënë mbështetje projekteve në fshat.
“Ka në dispozicion edhe një linjë të re kredie nga Banka e Shqipërisë, 250 mln euro, një shumë kolosale për t’u dhënë mbështetje projekteve në fshat. Por e kombinuar bashkë me garancinë sovrane, që është prej kohësh në dispozicion të fshatit, nuk kanë sjellë dhe gjasat janë që të mos sjellin asnjë rezultat domethënës, në rast se ne nuk ndryshojmë qasjen”, deklaroi Rama.