Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se ligji për desorosifikimin e Shqipërisë është një emergjencë kombëtare.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha i kërkoi mazhorancës që të mos fshihen, por të reflektojnë mbi tërmetin e madh politik që ka ndodhur në botë.
“Nuk mund të fshiheni sepse ky tërmet ka pasur pasqyrime apo reflektimin më të madh pas SHBA në Shqipëri. Ky tërmet është përmbysja e sorosizmit dhe ekstremit të majtë në SHBA, por që pati reflektime të tmerrshme edhe në këtë vend.
Ju kërkoni ta kaloni në një kohë kur atje, në atë vend, çdo ditë presidenti firmos zinxhir dekretesh për desorosifikimin e SHBA, ju vazhdoni të bëni sikur do mund t’i mbani ato në këmbë. Të mbani në këmbë akte, qëndrime, të cilat janë në armiqësi të plotë jo vetëm me Shqipërinë, por me të gjitha vendet e lira, me të gjitha vendet që aspirojnë të mbeten të tilla.
Ndaj me urgjencë ligji për desorosifikimin e Shqipërisë është një emergjencë kombëtare. Është më mirë të behet tani se sa kur ta bëjmë ne fill pas zgjedhjeve se do thoni po na persekutoni. Por unë u garantoj se do ketë të njëjtën peshë me ligjin që do bëhet për dekomunistizimin. Pra, më mirë të bëjmë një ligj tani”, tha Berisha.