Do të jem përherë me ty…
Letra e Milada Horakovas për vajzën 16-vjeçare, një natë para ekzekutimit
Në datën 8 qershor 1950, nëntë muaj pas arrestimit nga policia sekrete çeke, nën dyshimin se kishte organizuar komplotin për përmbysjen e regjimit komunist, politikania socialiste 48-vjeçarja Milada Horakova u shpall fajtore për “tradhti të lartë”. Kjo u pasua nga një gjyqteatër, që u transmetua në radion kombëtare, gjatë të cilit ajo qëndroi shpërfillëse. Në datën 27 të atij muaji, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare dhe një peticioni të nënshkruar, mes të tjerëve edhe nga Albert Einstein e ëiston Churchill, Milada Horakova u ekzekutua në burgun Pankrac të Pragës. Natën përpara ekzekutimit ajo i shkroi letrën që vijon, vajzës së saj 16vjeçare. Më 1991, presidenti Vaclav Havel e nderoi Horakovën pas vdekjes, me Urdhrin Tomáš Garrigue Masaryk.
“E vogla vajza ime Jana,
Zoti ma bekoi jetën time si grua me Ty. Siç shkruante edhe yt atë në poezinë nga burgu gjerman: “Zoti të fali ty, sepse Ai na desh ne…” Përpos dashurisë magjike e mahnitëse të babait tënd, ti ishe dhurata më e madhe që fati më dhuroi. Mirëpo, Perëndia e ndërtoi jetën time në atë mënyrë që unë të mos mundja të të jepja gjithçka që mendja dhe zemra ime kishte përgatitur për ty. Dhe jo sepse unë të doja pak; unë të dua njësoj me dëlirësinë dhe zjarrin e shpirtit si gjithë nënat i duan fëmijët e tyre. Por kuptova se detyra ime në këtë botë ishte të bëja ty të mirë duke u kujdesur që edhe jeta të bëhej më e mirë, dhe të gjithë fëmijët të jetonin në gjendje më të mirë. Prandaj, shpesh na u desh të rrinim larg për kohë të gjatë. Kjo është e dyta herë që Fati po na ndan. Po ti mos u tremb, as mos u ligështo pse unë s’po kthehem më. Mëso bija ime, ta shohësh jetën qysh herët si një çështje me rëndësi. Se jeta është e vështirë dhe s’përkëdhel askënd. Për çdo ledhatim që mund të të dhurojë do të të japë dhjetëra fshikullime.
Mësohu sa më shpejt me të, dhe mos e lejo që ajo të të verë përfund. Vendos të luftosh. Ki kurajë dhe synime të kthjellëta dhe shpejt do ta shohësh që do të fitosh mbi jetën. Shumë gjëra janë ende të paqarta për mendjen tënde të re, dhe mua s’më mbetet më kohë të të shpjegoj ato për të cilat ti ende dëshiron të më pyesësh. Një ditë kur të rritesh, do të vrasësh mendjen pse nëna jote që të desh aq shumë dhe të kishte dhuratën e saj më të çmuar, e drejtoi jetën e vet kaq çuditshëm. Mbase atëherë do t’i gjesh një përgjigje të drejtë kësaj pyetjeje, një përgjigje ndoshta më të mirë se kjo që të jap unë sot.
Natyrisht, ti do të jesh në gjendje ta zgjidhësh korrektësisht dhe me vërtetësi, duke mësuar gjithnjë e më shumë. Jo vetëm prej librave, por edhe prej njerëzve. Mëso prej çdokujt, s’prish punë nëse ata janë të rëndësishëm apo jo! Çaj përmes botës me sytë hapur, dhe mos u merr vetëm me brengat dhe problemet e tua, por edhe me shqetësimet, interesat dhe përgjërimet e të tjerëve. Kurrë mos mendo që diçka s’të përket ty gjithashtu! Jo, gjithçka duhet të të interesojë dhe ti duhet të reflektosh rreth çdo gjëje, duke i krahasuar fenomenet individualisht. Njeriu nuk jeton veçmas botës; ekziston një lumturi e madhe, por edhe një përgjegjësi e pakufi. Në radhë të parë, detyra jote duhet të jetë që të mos qëndrosh dhe të mos veprosh ndarë nga të tjerët, por t’ju bashkohesh nevojave dhe qëllimeve të tyre. Kjo s’do të thotë të humbasësh në turmë, por ta dish që edhe ti je pjesë e gjithësisë dhe ta mbartësh më të mirën tënde në atë bashkësi. Nëse e bën këtë gjë, ti do të arrish të kontribuosh në qëllimet e përbashkëta të shoqërisë njerëzore.
Mbaje parasysh mirë këtë parim, më shumë seç e bëra unë dhe gjithnjë afroju jetës pozitivisht. Ruaju prej kontradiktave boshe por jo prej çdo lloj kontradikte, sepse unë besoj që njeriu duhet t’i rezistojë së ligës. Por që të jesh me të vërtetë person me vlera, duhet që në çdo rrethanë të mësosh të dallosh floririn safi nga xhinglat. Sigurisht është vështirë, se xhinglat shpesh herë shkëlqejnë e të magjepsin. Po të rrëfej fëmija im, se shpesh në jetë jam magjepsur nga xhinglat.
Ndonjëherë madje shkëlqenin aq shumë, saqë unë e lëshoja floririn e vërtetë nga dora dhe marrosesha pas xhinglave kallpe. E di që të organizosh mirë shkallën e vlerave të tua duhet jo vetëm ta njohësh veten mirë e të jesh e prerë në gjykimin e karakterit tënd, por të njohësh në veçanti të tjerët, të njohësh sa më shumë historinë e botës: të kaluarën, të tashmen, dhe zhvillimet e së ardhmes. Pra, me pak fjalë: të zbulosh, të kuptosh. Mos i mbyll veshët në asnjë mënyrë para asgjëje; dhe as mos i përjashto mendimet dhe opinionet e cilitdo që të ka prekur a ndoshta të ka lënduar thellë. Vëzhgo, mendo, kritiko, po, po, kritiko sidomos veten, dhe mos ki turp të pranosh një të vërtetë që ti ke arritur ta kuptosh, edhe nëse kohë më parë ti vetë ke deklaruar të kundërtën; mos u bëj kokëfortë në opinionet e tua, por kur ke arritur ta konsiderosh diçka si të drejtë, atëherë ji aq e vendosur sa të mund të luftosh e të vdesësh për të. Siç ka thënë WolkerWolker1]: “Vdekja nuk është e frikshme! Vetëm mundohu të shmangësh vdekjen e ngadaltë, e cila ndodh kur dikush e gjen veten të shkëputur nga jeta e përditshme e të tjerëve…” Ti do t’i hedhësh rrënjët e tua aty ku fati ka vendosur për ty të jetosh.
Ti duhet ta gjesh rrugën tënde. Kërkoje atë e pavarur dhe mos lejo asgjë të të kthejë mbrapsht, as kujtimi i nënës apo babait tënd. Nëse i do ata me të vërtetë, nuk i lëndon aspak kur i vështron me sy kritik – thjesht mos shko në një rrugë të gabuar, të pandershme e që nuk harmonizohet me jetën. Unë kam ndërruar mendje disa herë dhe i kam rishikuar shumë vlera, por ajo që më mbeti si vlerë thelbësore, pa të cilën unë s’mund ta përfytyroja jetën time, ishte liria e ndërgjegjes sime. Do dëshiroja që edhe ti e vogla bija ime, të mendohesh nëse unë e kisha drejt. Një vlerë tjetër është puna. Nuk di kë të rendis të parën dhe kë të dytën. Mëso ta duash punën! Cilëndo punë, por njerën duhet ta njohësh shumë mirë dhe tërësisht. Kështu s’do të kesh frikë për asgjë dhe gjithçka do të eci mbarë. Dhe kurrë mos harro dashurinë në jetën tënde.
Nuk e kam fjalën vetëm për boçet e kuqe që një ditë do të çelin në zemrën tënde, dhe nëse fati ta mban anën, do të gjesh një të ngjashëm në zemrën e një personi tjetër me të cilin do ta shkrish jetën. Po të flas për atë lloj dashurie pa të cilën njeriu s’mund të rrojë i lumtur. Dhe mos e thërrmo dashurinë; mëso ta dhurosh të plotë dhe të vërtetë. Mëso të duash pikërisht ata që inkurajojnë pak dashurinë, e kështu s’do të gabosh. E vogla bija ime Jana, kur ti ta zgjedhësh atë për cilin zemra jote do të digjet, atë që do t’i falësh vërtet veten – kujto babanë tënd! Unë nuk e di nëse do të kesh fatin tim, nuk e di nëse do të kesh fatin të takosh një krijesë aq njerëzore e të mrekullueshme, por zgjidhe idealin tënd sa më afër atij. Mbase ti e vogla ime ke filluar tashmë të kuptosh, mbase tani e kupton deri në dhimbje se çfarë kemi humbur me Atë. Unë ndihem fajtore për atë humbje dhe kjo është më e vështira për t’u përballuar. Ji e ndërgjegjshme për dashurinë dhe sakrificën e madhe që Pepiku dhe Veruska po të dhurojnë. Jo vetëm që duhet t’u jesh mirënjohëse… por duhet t’i ndihmosh, që ta ngrini lumturinë tuaj të përbashkët pozitivisht e në mënyrë konstruktive. Gjithmonë duhet t’u dhurosh atyre më shumë, për të mirën që po bëjnë për ty. Vetëm kështu do jesh në gjendje t’ua shpërblesh mirësinë.
Mësova nga avokati se po shkon mirë me mësime dhe se dëshiron të vazhdosh më lart… U gëzova shumë. Edhe sikur një ditë të të duhet ta lësh shkollën dhe të punosh për të mbajtur veten, mos ndal së mësuari dhe së studiuari, nëse vërtet do që t’ia arrish qëllimit tënd. Do të kisha dashur që të bëheshe doktoreshë – të kujtohet kur kemi folur për këtë gjë? Natyrisht ti do të vendosësh vetë drejtimin në jetë, edhe rrethanat gjithashtu. Por, nëse një ditë qëndron në traditën e “alma mater”2], dhe sjell në shtëpi jo vetëm diplomën e mjekësisë, por edhe aftësinë e vërtetë për t’u dhuruar njerëzve ndihmesën si mjeke, atëherë o e vogla ime nëna jote do të jetë e lumtur pa masë. Megjithatë nëna jote do të jetë… vërtet e lumtur, s’ka rëndësi ku qëndron ti, nëse je tek salla e operacionit, apo tek… një torno; tek djepi i fëmijës, apo tek tavolina e shtëpisë, mjaft që ta bësh punën me shkathtësi, ndershmëri e përkushtimin e gjithë qenies tënde.
Atëherë do të jesh e suksesshme. Mos u bëj kërkuese ndaj jetës, por ki gjithnjë qëllime të larta. Ato nuk e përjashtojnë njëratjetrën, sepse ajo që unë e quaj kërkuese janë ato nevojat dhe nocionet egoiste. Mos u jep rrugë atyre! Kuptoje që në saje të fatkeqësisë dhe brengës që të ka ndodhur ty, Vera, Pepicek, gjyshja dhe gjyshi… e shumë të tjerë do të përpiqen të të japin gjithçka kanë, ndoshta edhe atë që s’janë në gjendje ta përballojnë. Ti jo vetëm që s’duhet të pretendosh prej tyre, por duhet të mësosh të jesh sa më modeste. Nëse mësohesh me këto gjëra, s’do të jesh e pakënaqur pse të mungojnë sendet materiale. Ti s’e merr dot me mend sa i lirë ndihet njeriu kur e mëson veten me thjeshtësi… e jo si ai që fiton epërsi ndaj të dobëtit, sa më i sigurt dhe i fortë që ndihet. Unë vërtet u përpoqa ta bëj vetë këtë gjë, por nëse ti mund t’i dyfishosh fuqitë e tua, përgatit veten me guxim për qëllime të larta… Lexo shumë dhe mëso gjuhë të huaja. Në këtë mënyrë do të zgjerosh horizontin e jetës dhe do ta pasurosh përmbajtjen e saj. Ka qenë një periudhë në jetën time kur lexoja me etje gjithçka; dhe më pas kohë të tjera kur puna s’më lejonte as të merrja në duar libër tjetër, veç literaturës profesionale. Oh ç’mëkat! Këtu, këto muajt e fundit kam lexuar plot, edhe libra që me gjasë s’do të më interesonin po të isha jashtë, por është detyrë me rëndësi të madhe të lexosh çdo gjë me vlerë, ose së paku sa të jetë e mundur. Në fund të kësaj letre do t’i shkruaj titujt e librave që kam lexuar muajt e fundit, e bindur se do të më mendosh mua kur t’i lexosh ato…
E tani diçka rreth trupit tënd. Jam e gëzuar që merresh me sport. Vetëm bëje në mënyrë sistematike. Unë mendoj se duhet të kryesh ushtrime ritmike, dhe po të kesh kohë, gjithashtu pak gjimnastikë të mirë sistematike. Dhe këto pesëmbëdhjetë minuta çdo mëngjes! Më beso, po të merresh seriozisht, do t’i kursesh shumë bezdi dhe përmasa të pakëndshme shtatit tënd. Kjo është e mirë, sepse të përgatit vullnetin dhe këmbënguljen. Gjithashtu kujdesu rregullisht për pamjen e fytyrës – nuk e kam fjalën për makeup, mos o Zot, por për kujdesin e përditshëm sanitar. Dhe duaji qafën dhe këmbët, siç do fytyrën dhe buzët e tua. Një furçë duhet të jetë shoqja jote e mirë, çdo ditë, dhe jo vetëm për duart dhe këmbët; përdore në çdo cep të lëkurës. Alkooli Salicyl dhe Fennydin, aq mjafton për bukurinë, e pastaj ajër dhe diell. Por për këtë do të gjesh këshilltare më të mira sesa unë… Fotografia jote më tregoi stilin e ri të flokëve! Duken bukur, por a s’ndihesh keq kur e fsheh ballin tënd të bukur? Gjithë kjo zonjushë në fustan balloje! Vërtet dukeshe mrekulli, por sytë e nënës tënde vunë re një gabim, që mund të jetë pasojë e mënyrës së fotografuarit. A nuk ishte dekolteja pak si shumë e ekspozuar për një gjashtëmbëdhjetëvjeçare? Më vjen keq që unë s’e kam parë foton e palltos tënde të re. Mos ke përdorur manshetat e tezes si jakë të pellushit? Mos u pispillos, por kur të jetë e mundur, vishu me kujdes dhe me thjeshtësi. Dhe mos vish këpucë derisa harku të të drejtohet poshtë në thembër. A je duke i veshur me shollë nga brenda?
Po me gjëndrën tiroide si je? Këto pyetje natyrisht s’kanë nevojë për përgjigje, janë thjesht sa për kujtesë nga ana ime. Në burgun e Leipzigut lexova një libër; letrat e Maria Theresas drejtuar vajzës së saj Marie Antoinettes. Më bëri shumë përshtypje mënyra se si kjo sunduese e tregoi veten e saj në të qenit praktike dhe femërore në porositë e saj për të bijën. Ky ishte një libër origjinal gjerman dhe s’e mbaj mend emrin e autorit. Nëse të bie ndonjëherë ta shohësh atë libër, kujtohu që atë kohë më qe mbushur mendja top të të shkruaja edhe ty letra të atilla rreth përvojave dhe porosive të mia. Fatkeqësisht gjithçka mbeti një dëshirë.
Janinkë, të lutem kujdesu shumë për gjysh Kralin dhe gjyshe Horakovan. Tani më shumë se kurrë zemrat e tyre të mplakura kanë nevojë për pak ngushëllim. Shko shpesh tek ata dhe lëri të flasin për rininë e babait dhe nënës tënde, kështu mund t’i ruash në kujtesë për fëmijët e tu. Vetëm kështu një individ bëhet i pavdekshëm; dhe ne do vazhdojmë në ty dhe të tjerë në gjakut tënd. Edhe diçka tjetër – muzikën. Unë besoj se duhet t’i shfaqësh mirënjohjen gjyshit Horak për pianon që të dhuroi duke e praktikuar seriozisht dhe se do t’ia dalësh me sukses në atë që Pepiku dëshiron aq shumë: ta shoqërosh kur ai luan me violinë o violë. Të lutem, bëja këtë nder. Unë e di që atij do t’i bëhet shumë qejfi dhe do të jetë vërtet diçka e bukur. Dhe kur të luani bashkë, luaj arien nga Martha: “Trëndafili im, ti lulëzon atje në kodër…”, dhe pastaj: “Fli princi im i vogël” nga Mozart; edhe të preferuarën e tët eti “Nën dritaren tënde…” të Chopinit. Ti do t’i luash për mua, apo jo? Unë do të jem përherë duke të të dëgjuar… Vetëm diçka ta theksoj. Zgjidhi miqtë me kujdes. Ndër të tjera, mos harro se çdonjëri prej nesh kushtëzohet edhe nga njerëzit me të cilët shoqërohet. Prandaj përzgjidhi me shumë kujdes ata. Ji e vëmendshme në çdo gjë dhe dëgjo opinionet e të tjerëve për shoqet e tua pa thënë asgjë. Nuk do ta harroj kurrë letrën tënde të dashur (sot mund të ta them) dikur një mbrëmje që e kishe ngjitur në jastëkun tim, tek e cila më kërkoje ndjesë kur të zura për herë të parë te porta, në shoqërinë e një vajze dhe një djali. Ti më shpjegove atë kohë sa e domosdoshme ishte që të kishe një rreth shoqëror. Mbaje rrethin tënd vajzë e vogël, por me njerëz të mirë e të ndershëm. Dhe konkurroni mes njëritjetrit në çdo gjë të mirë.
Vetëm të lutem mos ngatërro pasionin e të rinjve në pranverë me dashurinë e vërtetë. Më kupton, apo jo? Nëse jo, teze Vera do të të shpjegojë çfarë dua të them. Kështu pra, o vajza ime e vetme, o e vogla ime Jana, o jetë e re, o shpresa ime, o falja ime e ardhshme, jeto! Kape jetën me të dyja duart! Deri në frymëmarrjen time të fundit, unë do të lutem për lumturinë tënde, fëmija im i shtrenjtë! T’i puth flokët, sytë dhe buzët, të përkëdhel dhe të mbaj në krahët e mi (vërtet të mbajta në krahë kaq pak). Unë do të jem përherë me ty. Po e mbyll këtë letër, duke e nxjerrë nga kujtesa poemën që yt atë e shkroi për ty, në burg në vitin 1940…
Përktheu: Alida Jolie
Shenim:
1] Jiri Wolker – poet, gazetar dhe dramaturg çek (Të gjitha shënimet janë të përkthyesit)
2] Himn që këndohet në përfundimin e universitetit.
3] Poema dhe lista e librave mungojnë.