Një tërmet me magnitudë 4.6 ballë ka tronditur sot në mesditë përkatësisht në orën 11.20 qytetin e Korçës dhe Pogradecit. Tërmeti ka qenë me epiqendër në Maqedoni, por lëkundjet janë ndjerë edhe në juglindje të vendit. Sipas Institutit të Gjeoshkencave tërmeti ka rënë 19 km në Lindje të Strugës dhe 65 km në Verilindje te Korçës dhe ne Pogradec”. Më herët, një tërmet me intensitet prej 3,7 ballësh sipas shkallës së Rihterit u regjistrua në orën 3:54 në rajonin e Ohrit. Sipas Qendrës sizmologjike mesdhetare evropiane, epiqendra ka qenë 6 kilometra në lindje nga Ohri në thellësi prej 6 kilometra. Tërmeti më i fuqishëm në rrethinën e Ohrit është ndjerë dje paradite në orën 11:39 me intensitet prej 3,9 ballësh sipas shkallës së Rihterit, me epiqendër shtatë kilometra në veriperëndim të Resnjës, në thellësi prej pesë kilometrave në shtresën e tokës. Nga data 18 e muajit të kaluar e deri më sot në rajonin e Ohrit janë regjistruar mbi 800 tërmete. Shumica kanë qenë të dobët, me intensitet të Rihterit prej një dhe dy ballë.