Presidenti i Republikës Franceze François Holland dekoron akademikun dhe shkrimtarin shqiptar Luan Starova me urdhërin e lartë Oficer i Legjionit të Nderit (Officier de la Légion d’honneur).
Shkrimtari dhe akademiku Luan Starova, që nga viti 2000, është bartës dhe i një dekorate tjetër franceze, e mirënjohur me emrin Komandor i Arteve dhe Letërsisë (Commandeur des Arts et des Lettres).
Dekorata e lartë franceze autorit të Sagës ballkanike, një korpus romanor prej dhjetëra vëllimesh, i është akorduar ndër të tjera edhe për kontributin e tij të rëndësishëm gjatë periudhës kur ishte ambasadori i parë i Republikës së Maqedonisë në Francë.
Luan Starova është anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave, i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (edhe nënkryetar i saj), si dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Urdhri i Oficerit të Legjionit të Nderit akademik Luan Starovës do t’i dorëzohet prej ambasadorit francez në Shkup Kristian Timonie (Christian Timonier).
Për nderimin e këtij solemniteti, në rezidencën e ambasadës franceze në Shkup, më 11 prill 2017 do të organizohet një ceremoni zyrtare festive.