Pas largimit të trupave amerikane, disa anëtarë të udhëheqjes talebane kanë mbërritur në aeroportin e Kabulit.
Agjencia e lajmeve AFP citoi zëdhënësin talebanë Zabihullah Mujahid të ketë thënë: “Urime Afganistanit … kjo fitore na përket të gjithëve”.
“Ne duam të kemi marrëdhënie të mira me SHBA dhe botën. Ne mirëpresim marrëdhënie të mira diplomatike me të gjithë ata,” shtoi ai.
Gjiithashtu, Zabihullah Mujahid ka falënderuar luftëtarët talebanë për përpjekjet e tyre duke i përgëzuar për “fitimin e pavarësisë”.
“Ne jemi krenarë për sakrificat tuaja. Ju përgëzoj ju dhe kombin afgan. Dëshira jonë është që vendi ynë të mos pushtohet kurrë më. Ne duam paqe, prosperitet dhe një sistem të vërtetë islamik.”
Ai gjithashtu u bëri thirrje luftëtarëve talebanë që të “jenë të butë” me popullin afgan.
“Unë gjithashtu do të doja t’ju thoja që të jeni të kujdesshëm në mënyrën se si silleni me njerëzit. Ky komb ka vuajtur shumë. Populli afgan duhet të trajtohet me dashuri. Pra, jini të butë me ta. Ne jemi shërbëtorët e tyre. Ne nuk u jemi imponuar atyre ”.
Me largimin dje nga Kabulli të avionit të fundit ushtarak të SHBA-së me të evakuar, ka marrë fund lufta 20-vjeçare e SHBA./Opinion.al