Kreu i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj e mbajti fjalën dhe u prononcua sërish për “Opinion”. I lumtur me rezultatin e deritanishëm, ai tha se 70 mijë vota në rang vendi janë domethënëse dhe që premtojnë një rrugëtim të frytshëm politik të kësaj force.
“Mbrëmë në darkë, të thashë me jep 12 orë kohë dhe sot është fakt, zyrtarisht koalicioni është forcë e tretë politike në vend. Në votë kombëtare. A është kombëtare gara?! Parlamenti është kombëtar! Fakt është që deri në përfundim të procesit ne do shkojmë deri në 70 mijë vota, 70 idealistë, unë me vetëdije të plotë nuk bëra një fushatë lokale sepse kam besuar dhe do besoj se ky vend mund të bëhet. Po shkojmë në një rezultat që nuk është ai që prisnim, por në kaq vite tranzicion është rezultat i jashtëzakonshëm. Unë do të kërkoj edhe 12 orë të tjera dhe nesër do lidhemi prapë. Po garojmë me shumë dinjitet, me 600 vëzhguesit tanë po shohim çdo votë. Me qytetari e kulturë, po përballojmë gjithcka dhe po zbatojmë vullnetin e qytetarëve.”
Përpos Fierit ku është afër për marrjen e një mandati, u shpreh optimist edhe për një qark tjetër.
“Unë mendoj që trendi i votës së diasporës do na e japë atë mandat, mendoj që do na japë mandat edhe në një qark tjetër. Unë jetoj për parimet! Janë themele të shëndosha të një rruge që ka nisur e nuk ka kthim pas!”