Michael Schumacher po shfaq shenja “inkurajuese” përmirësimi. Është kjo deklarata e ish –bosit të Mercedes Ross Brawn.
Që prej dëmtimeve që mori në kokë nga aksidenti në Skii, në Dhjetor të 2013 –ës, lajmet për shëndetin e 7 herë kampionit të botës në F1 kanë qenë tepër të rralla.
47 –vjeçari u vendos në koma të induktuar menjëherë pas aksidentit, përpara se mjekët të raportonin në Mars të 2014 –ës se gjendja e tij ishte stabël.
Ai u rikthye në shtëpinë e tij në Gjenevë në Shtator të 2014 –ës, ku qëndron aktualisht, nën kujdesin mjekësor.
Në Shtator të këtij viti, Felix Damm, avokati i Schumacher zbuloi në një gjykatë gjermane se ish – piloti nuk ishte në gjendje të ecte, por pa dhënë detaje të tjera.
Duke folur për BBC, Ross Brawn tha se familja e tij kishte zgjedhur që gjithçka të mbetej sekrete dhe për këtë arsye ai duhet ta respektonte këtë.
“Ka shenja inkurajuese dhe të gjithë po lutemi që shëndeti i tij të përmirësohet. Ndaj është shumë e vështirë për mua të them më shumë dhe dua të respektoj privatësinë e familjes së tij”./tvklan.al