Vlora nga sot do të furnizohet normalisht me ujë.
Drejtori i Ujësjellës Kanalizime për Vlorën, Ermal Murati, ka dalë në një deklaratë për mediat duke kërkuar mirëkuptimin e banorëve për gjithë situatën e krijuar në 15 ditët e fundit dhe duke njoftuar se në përfundim është rikuperuar e gjithë situata e krijuar.
Lagjet problematike si Kushtrimi, Pus Mezin, Lirim, fshati Nartë dhe zonat pjesërisht informale do të furnizohen normalisht me ujë. Sipas Muratit, problemi ka ardhur për shkak të rënies së presionit të ujit, shkaktuar nga luhatje e tensionit të energjisë në pompa dhe mosfunksionimit zinxhir më pas të linjës së amortizuar të Ujësjellësit aktual.
Murati ka shpjeguar se është duke u punuar në vazhdimësi për projektin e ri, i cili do t’i japë zgjidhje përfundimtare çështjes së ujit, e sipas tij, brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm linja e re do të jetë gati.
Çështja e ujit në qytetin bregdetar ka qenë një problematikat më të diskutuara së fundmi në vend./tvklan.al