Kina ka raportuar për rënie të numrit të rasteve të prekurve nga koronavirusi, por numri i vdekjeve të të infektuarve vazhdon të rritet, përfshirë ato të dy pasagjerëve të moshuar në një anije lundrimi në karantinë.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë në 20 shkurt raportoi 628 raste të reja në provincën qendrore Hubei, që konsiderohet epiqendra e virusit dhe 45 raste në rajone tjera.
Shifrat treguan për numër më të ulët të rasteve të reja, për gati një muaj, përfshirë në provincën Hubei.
Ndërkohë numri i përgjithshëm i vdekjeve nga virusi ka arritur në 2.118. Më shumë se 74.000 njerëz janë infektuar në Kinë dhe qindra të tjerë në gati 30 vende.
Irani raportoi dy vdekje, që shënuan vdekjet e para në Lindjen e Mesme. Në Japoni, dy njerëz që kishin qenë në bordin e anijes së vendosur në karantinë një burrë dhe një grua kanë ndërruar jetë.
Dy persona të tjerë nga Rusia në anije janë diagnostikuar me koronavirus, duke sjellë në tre numrin e përgjithshëm të rusëve që kanë janë infektuar.
Richard Brennan, drejtor rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, u shpreh se Kina po bënte “përparim të jashtëzakonshëm brenda një periudhe të shkurtër kohe”, por shtoi se kriza nuk po i afrohej akoma fundit.
“Tendencat janë shumë inkurajuese, por ne nuk jemi ende në një pikë kthese”,- tha Brennan një konferencë për shtyp në Kajro.
Autoritetet kineze kanë izoluar qytete me më shumë se 60 milionë njerëz, si dhe kanë ndaluar transportin.
Vendet e tjera kanë vendosur kushte të rrepta të hyrjes për persona nga Kina dhe personat që kanë vizituar kohët e fundit Kinën, lëvizje kjo që e ka zemëruar Pekinin./Opinion.al/