I dërguari i Bashkimit Evropian për çështjen Kosovë-Serbi foli pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe theksoi se dialogu mes dy vendeve do të jetë pjesë e agjendës së takimit të ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së që pritet të mbahet të hënën.
“Kjo vizitë do të ndikojë drejtpërdrejt në ato bisedime. Siç e kemi thënë shumë herë, nuk ka të ardhme europiane as për Serbinë, as për Kosovën, pa normalizimin e marrëdhënieve të tyre dhe zbatimin e marrëveshjeve të miratuara për normalizim, si ato aktuale ashtu edhe ato më herët që të shohim një rajon stabil, të begatë dhe europian të Ballkanit Perëndimor, prandaj dialogu është i një rëndësie vendimtare. Biseda jonë me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Albin Kurti do të vazhdojë në ditët në vijim”, tha Lajçak nga Beograd.