Përgjegjësi i turnit në Portin e Durrësit ka rënë në prangat e policisë, pasi lejoi daljen e një kontejneri, i cili duhet të ishte kontrolluar
Sipas policisë, kontejneri ishte markuar nga skaneri, me shenjë të verdhë, shenjë e cila përbën detyrim për t’u kontrolluar nga punonjësi i degës doganore.
Mësohet se kontejneri në fjalë është markuar për kontroll në skaner në kuadër të kontrolleve rutinë që kryhen në Portin e Durrësit, për riskun e kalimit të lëndëve narkotike apo produkteve të tjera kontrabandë.
“Specialistët e Seksionit për Kontrollin e Kontejnerëve në PKK Port Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin H. L., 52 vjeç, banues në lagjen nr. 1, pasi teksa ishte në detyrë, përgjegjës turni në degën doganore të portit të Durrësit, ka lejuar të dalë nga zona e portit, një kontejner që ishte markuar nga skaneri, me shenjë të verdhë, shenjë e cila përbën detyrim për t’u kontrolluar nga punonjësi i degës doganore”, thuhet në njoftimin e policisë./Opinion.al