Media prestigjioze italiane “La Repubblica”, shkruan se në samitin socialist në Malaga, Partia Demokratike Italiane do të kërkojë përjashtimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë nga Partia Socialiste Europiane.
“Partia Demokratike Italiane është gati të regjistrojë kërkesën për përjashtimin nga PSE për kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe partinë që ai drejton, Partinë Socialiste të Shqipërisë”-thuhet në artikull.
Peppe Provenzano, kreu i punëve të jashtme në sekretariatin Schlein, dha lajmin për La Repubblica:
“Ne do ta ngremë çështjen në kongresin e PSE, i cili do të mbahet nesër dhe pasnesër në Malaga, në prani të të gjithë socialistëve, nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez te kancelari gjerman Olaf Scholz”.
Kujtojmë se marrëveshja e Shqipërisë me Italinë parashikon ndërtimin e dy qendrave për emigrantë në Shqipëri, ku do të vendosen ata që do të kthehen nga Italia, deri në momentin që do të përfundojë shqyrtimi i kërkesave të tyre për azil.