Policia e Shtetit ka marrë masa paraprake për parandalimin e incidenteve gjatë protestës së opozitës, e organizuar në të njëjtin moment kur Kuvendi pritet të heqë imunitetin e deputetit Sali Berisha.
Mësohet se rreth 800 efektivë policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës së sotme të thirrur nga opozita para Parlamentit.
Protesta do të nisë në orën 09:00 me sloganin “O sot, o kurrë”, teksa Kuvendi do të votojë për kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Forca të shumta policie kanë rrethuar Parlamentit, ndërsa janë vendosur kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar protestuesit në rast incidentesh.
Masat janë marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në koordinim me DVP Tiranë.
Ndërkohë RENEA është në gatishmëri në rast se do të ketë incidente. Po ashtu edhe autobote me ujë ndodhen në pjesën e pasme të parlamentit nëse do të jetë e nevojshme për të ndërhyrë.