Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar zyrtarisht KQZ-së kërkesën për zëvendësimin e Ervin Salianjit dhe dhënien e mandatit të tij ndaj pasuesit në listën shumë emërore të zgjedhjeve të kaluara.
Në dokument vihet në dijeni Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi se për shkak të dënimit të Apelit, Ervin Salianji ka humbur mandatin e deputetit.
Në këtë rast kërkohet që KQZ të vijojë me plotësimin e vendit vakat që është krijuar.
“I nderuar Z. Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve,
Kuvendi i Shqipërisë, në bazë të shkronjës “dh” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit, Ju njofton mbarimin përpara afatit të mandatit të deputetit të PD-së Ervin Salianji, për shkak të dënimit të tij me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, njoftuar në seancën plenare të datës 30.9.2024.
Sa më sipër, në mbështetje të nenit 164, pika 1, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin ligjor për të njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e vakancës”, thekson Kuvendi.