Sot Kuvendi do të mblidhet në orën 10:00 për seancën e radhës plenare, ku në rend dite janë raportimet e disa institucioneve për vitin 2024. Por diskutime pritet të ketë edhe për Komisionet e Posaçme Parlamentare, atë për Reformën Zgjedhore dhe për Territorialen, ndërsa pritet që të vendoset edhe për ngritjen e tyre.
Një ditë më parë, në Konferencën e Kryetarëve pati diskutime lidhur me Zgjedhoren. PS kërkon një formulë ku dy partitë e mëdha të kenë nga një bashkëkryetar, PS 8 anëtarë dhe 8 partitë e tjera opozitare. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se pjesë e komisionit duhet të jenë edhe partitë e tjera parlamentare.
Kështu do të përfshihej edhe partia e Tom Doshit, që për PD-në prish barazinë në komision sepse PSD historikisht ka votuar pro socialistëve. Edhe për Territorialen, demokratët kërkojnë baraza.
Priten diskutime edhe për projektligjin për menaxhimin e integruar të mbetejeve dhe projektvendimin për “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Shqyrtimin dhe Përzgjedhjen e Kandidaturave të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
Sa i përket raportimeve të disa institucioneve, parashikohet raportimi i veprimtarisë së Avokatit të Popullit për 2024, të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, së Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish – Sigurimit të Shtetit, dhe raportimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.