Në Asamblenë e 25-të Agjencive të Lajmeve të vendeve të Mesdheut kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta tha mediat që për interesa të caktuara publikojnë lajme sipas tij, keqinformuese dhe në dëm të turizmit mbi gjendjen e plazheve dhe detit në Shqipëri.
Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë: “Shohim që ka media në Shqipëri, që për shkak të interesave të kompanive të caktuara, të cilat kanë interes për të promovuar turizmin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, përhapin lajme dizinformuese dhe keqinformuese për standardet e turizmit në Shqipëri, për problemet e cilësisë të detit, të ujit të pijshëm, e kështu me radhë, me qëllim për të frikësuar turistët shqiptar apo të tjerë për të bërë pushimet e tyre në Shqipëri dhe për t’i bërë ato në vende të tjera në mënyrë që të përfitojnë këto agjenci. Por është shumë e rëndësishme që të theksojmë që mediat duhet të jenë objektive gjithmonë. Ne nuk themi të fshehin realitetin, të fshehin të vërtetën, përkundrazi.”
Sa i përket zhvillimit të turizmit, Kryetari i Kuvendit e cilësoi si tejet të rëndësishëm bashkëpunimin rajonal në mbrojtjen e mjedisit.
Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë: “Mbrojtja e mjedisit është një sfidë e jashtëzakonshme në rajonin tonë, sepse cwnimi i mjedisit është një kërcënim për zhvillimin e turizmit në të ardhmen, njëkohësisht duhet një bashkëpunim dhe një transparencë më e madhe midis vendeve të rajonit. Sepse në rast se një vend ndjek një politikë të papërgjegjshme, kjo nuk dëmton vetëm detin apo mjedisin në atë vend, por e dëmton edhe më gjerë”
Meta vlerësoi kontributin e agjencive të lajmeve të vendeve të Mesdheut në promovimin e vlerave turistike të Shqipërisë.
Tv Klan