Eneida Cuci është 35-vjeçe dhe punonte në doganën e Kakavijës. Ajo ra në pranga dje së bashku me dy punonjës të tjerë të Doganës së Kakavijës.
Kolegët e saj të arrestuar janë Ilirjan Imeraj dhe Islam Thana, të dy nga 42 vjeç. Shkak i arrestimit ka qenë kalimi i një mjeti tip Fiat, i mbushur me 1.3 ton mallra ushqimore.
Në pranga ka rënë edhe pronari i mjetit dhe i ushqimeve, tregtari Edison Qose.
Ai e kishte kaluar mallin pa paguar detyrimet doganore.
Mësohet se ai ka paguar 200 euro tek Ilirjan Imeraj që të kalonte mallin.
Në një vit, në Doganën e Kakavijës janë arrestuar 13 doganierë, por asnjëri prej tyre nuk është dënuar.