Që në nisje të grushtit të shtetit, presidenti Erdogan ka akuzuar grupin që drejton dijetari i cili ndodhet në ekzil në SHBA, Fetullah Gylen. “Gjithnjë kemi thënë se grupi që drejtohet nga Gylen, është një organizatë terroriste. Po kryejmë misionin tonë dhe do ta çojmë deri në fund. Gjithçka do të shkojë mirë”, – ka vijuar Erdogan në një konferencë shtypi në aeroportin “Ataturk” të Stambollit.
Po cili është Fetullah Gylen? Lideri fetar është akuzuar menjëherë nga Recep Tayp Erdogan si mendja që fshihet pas grushtit të shtetit. Jeton që në vitin 199 në një fermë të Saylorsburg në pyjet e Pensilvanisë.
Është 75 vjeç, nga 2008-ta me dokumente të rregullta në SHBA, me gjithë ‘green card,’-in e famshëm. Por gjithsesi Gylen ka qenë një aleat i Erdoganit deri në vitin 2013, kur shpërtheu një skandal korrupsioni në qeverinë turke. Gylen, deri tani ka pasur marrëdhënie shumë të këqija me presidentin shkruan gazeta Dita.
Ai ka qenë një ish-imam dhe ka thënë gjithnjë se beson te shkenca, në dialogun ndërfetar dhe në një demokraci shumë-partiake. Sipas ‘Wikileaks’, ka hapur kanale dialogu me Vatikanin dhe me organizata hebraike.
Sipas mediave amerikane, Gylen drejton “Golden Generation Worship and Retreat Center”, një qendër për të moshuarit e themeluar nga amerikanët me origjinë turke. Kalon orë duke u lutur dhe në meditim. Ka probleme shëndetësore të ndryshme, mes të cilave diabeti dhe zemrën.
Pas grushtit të shtetit në Turqi, ai u shpreh se u lut që në vend të rikthehet paqja, duke dënuar sulmin e ushtarakëve: “Dënoj ashpër përpjekjen për grusht shteti ushtarak në Turqi.
Qeveria duhet të merret përmes një procesi demokratik dhe zgjedhje të lira e të ndershme, jo me forcë. I lutem Zotit për Turqinë që kjo situatë të zgjidhet paqësisht dhe shpejt”