Nga Reldar Dedaj
Na kujtohet se kur erdhi koha e adoleshencës, për ne ishte periudha e jetës sonë të kyçur pas derës së banjës duke hedhur atë “gjënë” te vaska e tualetit ose mbi topat e rrumbullakët të letrës higjienike apo duke spërkatur lart tek pasqyra para së cilës qëndronim me mbathjet e ulura që të kishim mundësi ta shihnim si dukej kur vërshonte jashtë. Përmes një bote letrash të bëra shuk për të zhdukur shenjat e paudhësisë dhe pizhameve të njollosura, ne masazhonim penisin tonë të fryrë, me ndjesinë se fëlliqësia nuk do të kapej nga dikush që do të na zinte mat gjatë furisë së hedhjes së ngarkesës.
Kjo është një kohë e bukur e rinisë, ku një i ri, ecën symbyllazi pa pyetur aspak nëse shkel në dërrasë të kalbur, a jo. Është periudha e ndryshimeve të mëdha, e epsheve dhe aventurave nga njëra anë, ndërsa nga tjetra, e krijimit të vendosjes së personalitetit sa brenda familjes po aq dhe jashtë saj.
Në vazhdën e kësaj historie, na kujtohet se masturbimi nuk ishte një temë që pranohej aq hapur, kemi dëgjuar se të tillë status ruan edhe për adoleshentët e sotshëm. Vështirë boll e kanë të pranojnë se i kanë rënë me dorë në banjo. Si në kohën tonë, po ashtu edhe sot, nëse dikush të pyet nëse e ke shkund atë mikun në WC, asnjë se pranon. Çuditërisht, të rinjtë gjithmonë mendojnë se krenaria është e lidhur ngushtësisht me mënyrën e vënies në punë të penisit të tyre. Të gjithë e kanë të gatshme, në mendje, një histori seksi.
Ndërkaq, shumë vite më vonë, mbajmë mend se sa herë na pyesnin shokët për një aksh gjë, plotësisht, në mënyrë të pakuptueshme, ne gjithmonë kishim një prirje për ta mohuar një gjë të tillë.
Dhe, gjithpoaq, të njëjtën sjellje vinim re edhe ne tek disa të tjerë. Ishte e qartë, s’mund të flisje për një realitet që e mohonim të dyja palët. Asnjëri nuk kishte guximin që ta pranonte, për arsye se asnjëri nga ne, nuk kishte aftësinë të parashikonte qëndrimin që do të mbanim në qoftë se do të zbulonim sekretin e fshehur prej kohësh. A do të zhburrëroheshim në sytë e njëri-tjetrit? Kjo ishte dilema që mbante peng një të vërtetë të prangosur, që kishte kohë, vend, emër dhe qeli e ku askush s’pritej ta lironte.
Mirëpo, rrëfimi i kësaj historie nuk është gjë tjetër, veçse një monolog i gjatë i një brezi jo i varur aq nga epshet seksuale, sesa nga përkujdesja fatale për të mos prekur rregullat dhe kodet morale të përcaktuara sa nga familja po aq nga shoqëria.
Është frika e një moshe të mbërthyer nga tabutë dhe paragjykimet, e pazonja të dalë mbi to, por e kujdesshme deri në psikopatologji për të mos u shndërruar në një faktor kyç i prishjes së rendit të vendosur të harmonisë dhe unitetit brenda familjes. Nuk ka formë tjetër të të shprehurit patologjia e një moshe që nuk kryen jetën e saj. Që jeton për të tjerët, ku vazhdimisht hedh sytë nga ata dhe vepron e dëgjon njëkohësisht se çfarë i thonë.
Megjithatë, mbetet përsëri e pakuptueshme ideja se ata ndjejnë vazhdimisht faktin se pesha e tradhëtisë ndaj familjes është një ankth vrastar, nga i cili janë akoma të pafuqishëm për ta lënë pas. Për diçka që e dinë të gjithë mjaft mirë, kjo rini e ka më të lehtë që të gënjejë se sa të tregojë të vërtetën, beson verbërisht në idenë se nëse nuk do të ekzistonte mashtrimi; dinjiteti, familja dhe shoqëria në një pikëpamje më të largët do të shkatërrohej njëherë e përfundimisht.
Prandaj, në njëfarë mënyre, me atë stilin e tyre të ngadaltë, të kërkojnë të heshtës, të mos i thuash të gjitha, kështu mendojnë se është më mirë dhe e kanë akoma më shumë të vështirë të pranojnë rrugë tjetër.
Në këto kushte, shoqëria ka nisur të ndërtojë një botë psikologjike të dyzuar në vetvete, ende pa e ditur a është më mirë të jetë e lirë apo e shtypur. Pa e kuptuar nëse duhet të veçohet nga “prindërit”, nga pushteti familjar, shoqëror, politik apo të njësohet me të. Ta mbështesë pushtetin autoritar apo ta kundërshtojë atë, ta urrejë atë që e shtyp apo ta dashurojë me ndjenjën e fëmijës ndaj prindërve të tij.
Nuk ka emër tjetër dilema që pothuajse i ka shoqëruar pjesën më të madhe të jetës së tyre. Zaten!
Shqiptarët e kanë po aq të vështirë të ecin drejt një rruge të tillë, a thua se, nuk ka kthim pas, nuk e pranojnë ende në vetvete tundimin e prekjes së kufirit, e kapërcimit të cakut, u druhen haraçit të prishjes së unitetit familjar, tashmë të vendosur prej kohësh.
Por në terrin e natës, ashtu si në përrallat me kapërcim ylberi, fill pas këpërcimit, matanë ylberit, shqiptarët seç kanë një prirje për t’i shpëtuar sundimit të pushtetit, që simbolizohet në të shumtën e rasteve më atë të prindit.
Si guakë, i druhen keqaz idesë,mirëpo, papritmas, lind një prirje e fshehtë për t’i shpëtuar konfliktit, që në një rast të tillë, simbolizohet me shumë gjasa edhe me atë krisjen e qetësisë familjare, por jo vetëm. Edhe pse e dinë mjaft mirë, nga ana tjetër, nëse e fitojnë këtë liri tunduese; ajo rrëzikon edhe t’u shkasë nga duart, t’a humbin përfundimisht kontrollin e saj.
Sepse, individi brenda familjes së vet patriarkale ka të njëjtin personalitet të dyfishtë sikurse fëmija në hipotezën frojdiste. Nga njëra anë, ndjen shtrëngimet që i vinë nga ushtrimi i pushtetit autoritar të babait, ndërsa nga ana tjetër, mendon se i gjithë ky shtrëngim e ndihmon të vendosë kontrollin mbi nënën, që ajo nesër, të mos i ikë.
Tek nëna individi, thjesht një numër në bashkësinë e madhe, ka të simbolizuar çdo objekt: shtëpinë, ushqimin, sigurinë dhe atdheun.
Andaj, ai duke e ditur mjaft mirë dhe, pikërisht ashtu siç sot e kupton rinia shqiptare, me gjithë të veçantën e saj, është mjaft e vështirë, të paktën për aq kohë sa do ndjehen të varur, të jenë shkaku i prishjes së harmonisë, unitetit dhe njësimit familjar të vendosur tashmë prej kohësh.
Gjithmonë, ata, i kanë mësuar t`i druhen dasisë, a thua prej saj nuk mund të vinë veçse konflikte dhe dhunë. Sado të lodhen, të krijojnë krisje, krejt gjuha e familjes është e mbrujtur me këtë frikë thelbësore dhe çdo gjë e saj vihet në kërkim të një mirazhi: t’u jepet fund ndarjeve, konflikteve dhe mospajtimeve.
Nuk është çudi aspak fakti, se në ditët e sotme, ata kanë pranuar t`i thonë vetes; duhet të eliminojmë atë që na ndan, duhet të krijojmë një humus të përbashkët me familjen, një unitet babelian të mendimit që është i vendosur prej kohësh dhe që s’ka Zot më t’a zhbëjë.
Mirëpo, dekadenca nuk ka emër tjetër. S’është nevoja të ketë emër apo ngjyrë, mjafton që ndarja të ngjalli frikë dhe jo vetëm ngaqë mund të prishë paqen familjare, por edhe se mund të vrasë frymën shoqërore nëse del nga kontrolli; nëse nuk e shtrëngojnë në një kuadër normash e rregullash të përbashkëta.
Por rinia nuk ndalet, bashkë me pengesat që i vihen para, ajo përsëri e ka të shkruar sa fatin aq edhe rrugëtimin e saj. Ndërsa një mur ngrihet t’i ndalë hovin, në dukje, përpiqet ta shembë atë; tullë pas tulle.
Ka kohë, që ndjen një fshehje të shumë gjërave, por që cuditërisht, në ditën për diell, s’ka aspak guxim të përballet me to. Është thënë se kjo ndodh, për të mbajtur të pacenuar pushtetin e “Njëshit”.
Që fare mirë mund të ishte: prindi, vëllai, shteti a shefi i punës. Atyre u është thënë, por edhe krijuar përshtypja nga ana tjetër, se me pahir janë të detyruar të mendojnë njësoj si ata, me arsyen se sjellja e tyre mund të shndërrohet në burim konflikti të vazhdueshëm. Që të shmangin konfliktin dhe të ruajnë brenda suazës, “Status Quo-n” e tyre, ata duhet patjetër të eliminojnë dasinë. Por pa konflikt nuk lindin as qytete, as qytetari. Madje sipas mitologjisë, qyteti është pjellë e vëllavrasjes. Është Kaini ai që ndërton polis-in e parë sipas gjenezës. Pikërisht pasi vrau Remin, Romuli vendosi të themelojë Urbs-in që do të ishte djepi i kodifikimit të së drejtës.
Andaj në vendin tonë është krijuar një përshtypje të realizojmë me patjetër përngjitjen me ata që na sundojnë, me ata që jo pak herë prekin edhe interesat tona, që grabisin një pjesë të madhe të të gjithë pasurisë. Madje forma të tilla të menduari kanë pushtuar mendjet njerëzore, i kanë stërvitur gjatë, i kanë mbajtur të robëruara deri aty sa kanë arritur të formojnë një lloj admirimi për ata persona që zotërojnë mjetet për të grabitur popullin. Frika ndaj konfliktit, dasisë ka ushqyer prej kohësh përngjitjen dhe uniformitetin e të menduarit.
Tani ka ardhur koha, që ky brez të ndalet, të shkrefet paksa dhe të hedhë vështrimin tej në horizont. Të rrok me gjithë shqisat pamjen e ofruar. Me siguri, “familja jonë” tani po mendon se këta qenkan çmendur krejtësisht. Heshtje! Më pas një lum kritikash. E ndjejnë se pushteti i “Njëshit”në familje është shembur. Bla, bla, bla-ata. Por, ende s’dihet nëse rinia do u hedhi mes vatrës dasinë; frymën gërryese si acidi, duke shkatërruar fuqinë bashkuese të “Njëshit”duke i bërë të numërojnë deri në dy, ose deri në tre, ose ndoshta edhe më shumë…!