Gjatë një interviste në emisionin “Opinion” Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka specifikuar arsyet për të cilat konteston nismën e Ballkanit të Hapur. Përballë gazetarit Blendi Fevziu, Kurti e cilësoi këtë nismë të ndikuar nga Serbia, për të cilën tha se dëshiron që Ballkani të jetë i hapur për Rusinë dhe Kinën.
Pjesë nga intervista në “Opinion”
Kurti: Me qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve nuk mund të ketë Ballkan të hapur pro serb dhe pro rus. Serbia dëshiron që Ballkani të jetë i hapur për Rusinë dhe Kinën siç është dhe vetë e hapur për fuqitë e lindjes dhe veri-lindjes.
Fevziu: Cila do të jetë e keqja e një nisme rajonale që nuk vjen nga Brukseli apo Berlini?
Kurti: Në procesin e Berlinit kemi platformën e bashkëpunimit rajonal nuk ka nevojë për dyzime të tjera. Le të shohim në këtë Ballkanin e hapur sa e mbyllur është Serbia për shqiptarët në Preshevë, Medvegj dhe Bujanovc. Le të hapet Serbia si shtet kinse demokratik për shqiptarët ashtu mund të kontribuojë në Ballkanin e hapur evropian dhe demokratik.