Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që pati me pesëshen diplomatike me në krye emisarin special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak dhe atë të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se prioritet dhe çështje kryesore për Kosovës është siguria e shtetit, qytetarëve, kufijve dhe territorit.
Kurti tha se pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit “ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje” të ngjarjeve të ngjashme.
“Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Më tej, Kurti tha se diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht, teksa diplomatët kanë udhëtuar për në Beograd ku do të takohen me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.