Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ndarë një foto me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe kryetarin e Aleancës për Shqiptarët dhe kryetarin e Gostivarit, Arben Taravarin.
Foto është shkrepur nga një takim që ata patën në prag të konferencës së liderëve të rajonit për Planin e Rritjes së BE-së.
Në postimin në rrjetet sociale, Kurti shkruan se “shqiptarët më shumë sesa fat, e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin e qartë euro-atlantik dhe ndërtimin e aleancave mbi vlera e bindje”.
“Në Shkup, në margjina të konferencës së liderëve të rajonit për Planin e Rritjes së BE-së, bashkë me kryeministrin Rama takuam dhe bashkëbiseduam me Arben Taravarin, Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët.
Shqiptarët më shumë sesa fat, e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin e qartë euro-atlantik dhe ndërtimin e aleancave mbi vlera e bindje. Sfidat shpesh i kemi të ngjashme e të përbashkëta. Shërbimin ndaj qytetarëve duhet përherë ta kemi qëllim të palëkundur të angazhimit politik. E në rrugë e sipër na duhet të jemi krah për njëri-tjetrin, për zhvillim, demokratizim, reformë, progres dhe mirëqenie”, shkruan Kurti krah fotos./Opinion.al