Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat në Mal të Zi me homologun e tij, Dritan Abazoviç, është pyetur nga gazetarët për marrëdhëniet më Albin Kurtin në kohën kur ky i fundit refuzoi ditën e djeshme takimin me kreun e qeverisë shqiptare.
Rama tha se nuk ka asnjë gjë personale më Kurtin dhe aq më pak institucionale, por vetëm qëndrime të kundërta për një çështje të caktuar.
”Unë nuk shkova në Prishtine për tu martuar me Albinin dhe nuk ndihem i fyer si një dhëndër që nusja nuk i doli në takim. Shkova në Prishtinë si këtu, e pastaj në Beograd. Në mënyrën më absolute s’kam asnjë problem personal e aq më pak problem institucional me kryeministrin Kosovës. Kam qëndrime të kundërta me një situatë të caktuar. Kaq. Natyrisht këtë situatë e përjetojmë dhe duam ta trajtojmë në mënyra të ndryshme. Albini e përjeton si një situatë që do ta trajtojë pa u takuar dhe biseduar. S’jam për të bërë interpretime të natyrës psikologjike, nacional historike. Pavarësisht se cili është qëndrimi i BE, vendeve të tjera, në takimin e Tiranës, kryeministri i Kosovë do jetë i ftuar, dëshiroj të jemi të 6 aty bashkë, përtej faktit që mund të mos jetë i ftuar apo s’duan ta ftojnë në vende të tjera. Në Tiranë ai është në shtëpinë e vet, madje mund të futet edhe në zgjedhje për t’u bërë i zoti i shtëpisë”, tha Rama./Opinion.al