Avokati Kujtim Cakrani ka treguar për mediat momentet kur sipas tij u dhunua nga dy të rinj, pranë një pike karburanti në Vlorë. Cakrani rrëfen se dy personat, të cilët nuk i njeh, fillimisht e provokuan dhe më pas e goditën nga pas me një mjet prerës. Avokati i ish-Presidentit Ilir Meta bën me dije se ka marrë dëmtime në kokë, si pasojë e dhunës.
“Më kanë dhunuar dy të rinj që nuk i njihja dhe s’e kamë idenë përse, sepse më provokuan dhe më pas më goditën. Kaq është. Nuk mund të them më shumë, sepse nuk e di çfarë ka ndodhur. Ndodhi para një ore e pak në hyrje të qytetit. Po hyja në një pikë karburanti, kaluan aty, pasi më provokuan, dolën nga makina, dikush erdhi nga pas më goditi me mjet prerës, nuk e di me çfarë. Ndodhi në mënyrë të menjëhershme”, shprehet ai.
I pyetur nëse i njeh autorët, avokati i ish-Presidentit Ilir Meta shprehet: “Jo nuk i njihja. Ishin dy djem të rinj, mosha 25-30 diçka e tillë”.
“Kam 4-5 dëmtime në pjesën e pasme të kokës. Isha i papërgatitur sepse nuk është se kam konflikt me njeri. S’jam mirë, kam dhimbje koke”, shprehet ai nga shtrati i spitalit.
















