Përdorimi i internetit tashmë ka marrë një përhapje masive. Kompanitë që e ofrojnë këtë shërbim janë në një garë konstante për të sjellë cilësinë më të mirë dhe cmimet më të konkurueshme. Kjo ka bërë që interneti të jetë i aksesueshëm nga të gjithë.
Por kjo hapjë kaq masive ndaj një bote e cila është shumë e vështirë për tu kontrolluar dhe monitoruar ka sjellë edhe problematika shqetësuese. Femijët dhe ekspozimi i tyre ndaj rreziqeve online janë një nga temat më të ndjeshme me të cilat janë duke punuar shumë qeveri në botë por edhe organizata që në vijë të parë kanë kujdesin ndaj minoreneve.
Në Shqipëri fëmijët hyjnë mesatarisht për herë të parë në internet 4 vjet më vonë se ata në Europe. Ky është një konstatim pozitiv për autoritet të cilat mund të marrin masat e duhura nisur edhe nga eksperiencat e vendeve të tjera. Sipas studimeve fëmijët Shqiptarë kalojnë kohë në internet në shtëpi dhe në shkollë po aq sa edhe ata europianë.
Por shifrat janë disi alarmante për kohën e kaluar në internet café, ku raportet janë 78% me 12 % për Europën. Në këto qendra ata kanë vizituar në shumicën e rasteve për herë të parë edhe faqe pornografike. Të dhënat gjithashtu tregojnë se shumicën e kohës femijët në internet lexojnë informacione shkollore, qëndrojnë në facebook apo rrjete sociale, chatojne, luajne lojra, apo shohin filma.
Në Europe djemtë dhe vajzat kalojnë thuajse të njëjtën kohë në internet, ndërsa në Shqipëri djemtë qëndrojne gati 40% më shumë se vajzat. Koha që femijët shqiptarë kalojnë në internet në dhomen e tyre të gjumit është gati dyfishi i asaj që kalojnë në dhomën e ndenjjes ku mund të jenë të shoqëruar edhe nga prindërit e tyre. opinion.al