Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, në fjalën e saj në parlament deklaroi se kur opozita e sotme ishte në qeveri, ndoqi parimin e çurbanizimit.
Kumbaro theksoi se Ksamili në kohën e qeverisjes së PD u degradua në një Bathore të dytë. Sipas saj, sot ka zgjeruar sipërfaqen e zonave të mbrojtura me 21.5 përqind.
“Ju ndoqët parimin e çurbanizimit. Nuk është fjala vetëm për Tiranën. Ksamili u degradua në një Bathore të dytë. Ne sot po sistemojmë territorin me restaurime. Çdo rregullim është bërë me vendim të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.
Sot punojmë me thonj për xhevahirët tona. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura është një arritje. Për herë të parë, kjo qeveri hartoi ligj për të mbrojtur zonat e mbrojtura mjedisore. Po evitojmë gjynahet e tranzionit. Shqipëria zgjeroi sipërfaqen e zonave të mbrojtura me 21.5 përqind. Sot po mbrojmë Vjosën, e shpallëm park kombëtar, në një vendimmarrje të rëndësishme. Zonat e mbrojtura i kemi kthyer në zona turistike. Kjo mundëson që territoret mos braktisen. 5.3 milionë vizitorë kishim këtë vit në parqet kombëtare. Nga turizmi zhvillohet edhe ekonomia. Parku Natyror i Drilon-Tushemishtit ka dalë në dritë si asnjëherë. Bukuritë që ne ndërtojmë i shijoni, ndërsa kur vini këtu shani. Do ndërtojmë Qendrën Shkencore në Vjosë. Do krijojmë zyrë të dedikuar për administrimin e Parkut Kombëtar të Vjosës. Krijuam Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, Lumi i Shalës është kthyer në atraksion turistik, turizmi ka nisur të jetë i rëndësishëm edhe në veri”,-tha Kumbaro.