Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka uruar zgjedhjen e kreut të ri në parlamentin e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se mezi pres bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës për të mirë të qytetarëve.
“Urime e sukses Kryetarit të ri, të sapozgjedhur, të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha! Përgëzime Kuvendit të Kosovës, për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve. Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon”, ka shkruar Spiropali në Facebook.
Kujtojmë se deputetët e Kosovës zgjodhën sot më 26 gusht me shumicë votash, Dimal Bashën si kryetar të Kuvendit. Basha, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, mori 73 vota pro, 30 deputetë votuan kundër ndërsa tre abstenuan.

















