Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç bëri thirrje për pajtim me shqiptarët gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev.
“Serbia mbështet pajtimin me shqiptarët, por nga ana tjetër, ajo nuk ka bashkëbisedues”, tha Brnabiç.
“Ne nuk po mundohemi të krijojmë kufij etnikisht të pastër, e kundërta. Aleksandar Vuçiç, kur ishte në krye të qeverisë, e ngriti çështjen e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Ky është një moment historik dhe një shans i hapur,” shtoi ajo.
Mos arritja e një marrëveshjeje mes dy palëve do të sjellë një çmim të lartë për të dyja anët nënvizoi Brnabiç. Në të njëjtën linjë mendimi u shpreh edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, i cili theksoi se ka ardhur koha për pajtim midis serbëve dhe shqiptarëve.
“Maqedonasit dhe grekët janë pajtuar, bullgarët dhe ne jemi pajtuar. Të tjerët duhet ta bëjnë këtë. Ne jemi europianë dhe duhet ta dëshmojmë këtë”, tha Zaev.
Dy kryeministrat morën pjesë në inaugurimin e vendkalimit të integruar kufitar Preshevë – Tabanovc. /Opinion.al