Pesë persona kanë rënë në prangat e policisë së Krujës ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim pasi kultivonin kanabis.
Uniformat blu bëjnë me dije se janë arrestuar dy vëllezërit me inicialet A. E., 35 vjeç, A. E., 41 vjeç, si dhe shtetasit S. X., 24 vjeç, G. Ll., 36 vjeç dhe P. K., 47 vjeç.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim 26-vjeçari me inicialet M. X., I cili është vëllai i të arrestuarit S. X. dhe 37-vjeçari B. A.
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar në kohë dhe në ambiente të hapura të ndryshme, 1353 bimë narkotike, në zona të pyllëzuara të fshatit Bruz Mal, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar përgjatë periudhës hetimore.
Në vijim të kontrolleve, në banesën e 36-vjeçarit G. Ll., u gjetën dhe u sekuestruan 5.3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis e gatshme për shitje.
Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 450 000 lekë, 4000 euro, 9 aparate celulare, 4 automjete dhe 1 armë gjahu.
Sakaq, po vijon puna për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al