Kombëtarja kroate nuk ka arritur t’i gëzohet siç duhet fitores me Turqinë në ndeshjen e parë në grup në Euro 2016. Ekipi i Çaçiç ka mbetur pa kapitenin Dario Srna, i cili ka braktisur grumbullimin.
Këtë herë nuk bëhet fjalë për një dëmtim, pasi kapiteni është detyruar të largohet nga Europiani për të qenë i pranishëm në funeralin e babait të tij, i cili u nda nga jeta në mënyrë të papritur vetëm pak kohë pasi Kroacia fitoi ndeshjen e saj të së dielës.
“Federata Kroate e Futbollit i shpreh ngushëllimet më të sinqerta kapitenit tonë dhe familjes së tij”, shkruhej në një deklaratë të lëshuar nga Federata Kroate, e cila i ka dhënë leje kapitenit të kthehej pranë familjarëve. Gjithsesi, pritet që Srna të zbresë në fushë në pasditen e 17 qershorit, në përballjen kundër Çekisë, në një takim që mund të vulosë kualifikimin e Kroacisë në fazën me eliminim direkt.