Biçikleta është një ndër format e udhëtimit më pak të kushtueshme në botë, numri i përdorimit të të cilave është rritur edhe në Shqipëri. Por, kjo nuk ndodh për arsye ambientaliste si mbrojtja e mjedisit por si një alternativë ekonomike e të udhëtuarit nëpër qytet. Problematika e kryeqytetit tonë është mungesa e infrastrukturës së përshtatshme për lëvizjen në qytet, por edhe fenomeni i vjedhjes së tyre është kthyer tashmë në një modë.
Rreziqe të tilla merren përsipër duke marrë në konsideratë faktin se alternativa e blerjes së një makine, e mirëmbajtjes së saj, çmimi i naftës në Shqipëri, por edhe kostoja e udhëtimit me mjete të transportit publik janë relativisht më të larta se sa posedimi i një biçiklete.
‘Ecovolis’ njihet prej vitesh në Tiranë, jo vetëm për fushatat që ndërmerr në kuadër të përdorimit të shpeshtë të biçikletave, por edhe për skemën e saj të qiradhënies së biçikletave, të cilat janë të shpërndara në shumë pika në kryeqytet. Ata pohojnë për ‘Monitor’ se kërkesat e shqiptarëve për të marrë me qira një biçikletë kanë ardhur në rritje me kalimin e viteve, aq sa kanë shtuar edhe vendet, edhe numrin e biçikletave në Tiranë. Kryesisht, sipas tyre, të rinjtë shfaqin më tepër dëshirën për të pasur një biçikletë.
Kriza, pse biçikleta?
Sipas disa prej dyqaneve të pyetura në Tiranë, çmimi i një biçiklete fillon nga 15,000 lekë dhe arrin edhe shifra të larta si 200,000 lekë e më tepër. Me gjithë ekzistencën e shumë dyqaneve që tregtojnë biçikleta në rrugët kryesore në kryeqytet apo qytete të tjera, ashtu sikurse edhe firmat e sportit të njohura që kanë përfaqësitë e tyre në vendin tonë, ka edhe alternativa më pak të kushtueshme për të gjithë ata që duan të posedojnë një biçikletë. Në kryeqytet ekzistojnë dy tregje, ai në Pazarin e Ri dhe një tjetër pranë zonës së Medresesë, te të cilët mund të gjenden biçikleta me kosto relativisht të ulët.
Po cilat janë arsyet që i shtyjnë njerëzit që të blejnë një biçikletë?
Sipas përfaqësuesve të një dyqani pakice në rrugën “Myslym Shyri”, ‘Go Sport’, një pjesë e madhe e personave që kanë blerë kohët e fundit janë ‘ankuar’ për çmimin e naftës dhe trafikun e rënduar, gjë që i ka shtyrë ata drejt braktisjes së makinave. Ata tregojnë se sidomos duke nisur nga pranvera e vitit të shkuar, shitjet e biçikletave janë rritur.
Ndërsa një pjesë e personave të kontaktuar nga ‘Monitor’ pohojnë se alternativa e biçikletës, pavarësisht kushteve jo të mira të infrastrukturës, zgjidhet për çështje ekonomike, duke mos pasur mundësinë e të blerit të një makine dhe duke shmangur përdorimin e transportit publik.
Të tjerë pohojnë se biçikleta shpeshherë është ajo alternativa e shoqërive bashkëkohore që ushqehet më së shumti nga komoditeti i të lëvizurit me biçikleta, por që s’mund të pohohet se Shqipëria ka po aq kushte dhe “free pedestrian zone” sikurse Europa apo në SHBA.
Një studente e Universitetit të Tiranës, Megi Hoxha, tregon për ‘Monitor’ se nga zona e banesës së saj, pranë Linzës, Dajt, gjer në Fakultetin e Ndërtimit ku studion, i duhet të marrë dy autobusë për të ardhur dhe po dy për t’u kthyer, kostoja totale e së cilës shkon 160 lekë në ditë. Ndërsa një biçikletë me qira nga ‘Ecovolis’ për studentët jepet 100 lekë në ditë. Nga ana tjetër, po të blesh një biçikletë, sipas saj, pranë tregjeve te Pazari i Ri me një kosto prej 15,000 lekësh, ti mund të përmbushësh nevojat e tua të transportit. Megjithatë, ajo pohon se vështirësia kryesore është ekzistenca e zonave të pedalimit dhe që shpeshherë, të dalësh me një biçikletë në lëvizje kthehet në një “mision të rrezikshëm”.
Mjafton vetëm një vëzhgim në të paktat parqe që ekzistojnë në kryeqytet për të vënë re që edhe një pjesë e konsiderueshme e moshave mbi 50-vjeçare posedojnë një biçikletë për të lëvizur.
“Me çmimin e rritur të biletave të urbanëve, me çmimin gjithnjë në rritje të naftës i jemi drejtuar biçikletave, sepse nuk kemi mundësi ekonomike për lëvizje me mjete të tjera. Unë kam pasur një makinë që për shumë vite e braktisa në garazh. Me biçikletën lëviz pa kosto”,- tregon Alfred Lalollari për ‘Monitor’.
Ndërsa përfaqësuesit e shitjeve të dyqanit ‘Inter Sport’ që tregton edhe biçikleta, krahas veshjeve sportive, pohojnë se pjesa më e madhe e blerësve të tyre janë sportdashësit, duke qenë edhe se dyqani ofron më së shumti biçikleta me opsionet e fundit dhe moderne të çiklizmit, kundrejt çmimeve disi më të kripura.
Importet
Sipas të dhënave të Doganës, në Shqipëri, vihet re një numër relativisht i lartë i biçikletave të importuara nga Kina. Për vitin 2014, numri i tyre arriti 25,742, ndërsa në vitin 2015 me një luhatje të lehtë nga shteti i largët u importuan 24,249 të tilla. Një tjetër shtet me të cilin vendi ynë ka aktivitete tregtare për këtë artikull është Gjermania, numri total i të cilave në vitin 2014 arriti 1684, ndërsa në vitin 2015 u vu re një rënie në numër të biçikletave të importuara nga ky vend, në 821. Edhe nga Zvica, SHBA, Italia dhe Japonia numri i biçikletave të importuara është i konsiderueshëm. Ajo që vihet re edhe nga grafiku, është që në vitin 2015 ka pasur rënie të lehtë të importit të këtij artikulli, prej 5.96%.
Ndërsa bizneset që merren me tregtimin e biçikletave pohojnë për ‘Monitor’ se fenomeni i vjedhjes ka pasur një impakt negativ në aktivitetin e tyre tregtar, duke qenë se me artikuj të tillë, më të lirë, konkurrenca është e pandershme dhe një pjesë e mallit mbetet e pashitur.
Biçikleta të përdorura, zgjedhja më ekonomike
Në kryeqytet, pavarësisht mësymjes së kontrolleve bashkiake, në ndonjë cep gjithnjë do gjendet një treg i “sajuar” për të shitur biçikleta të përdorura, por në gjendje të mirë, ekzistenca e të cilave tundon shumë persona për t’i blerë, duke qenë se bëhet fjalë për çmime më ekonomike se sa ato në dyqane. E njëjta biçikletë mund të gjendet (me pak fat) rreth trefish më lirë.
Nga ana tjetër, me rritjen e përdorimit të teknologjisë, si një zgjidhje perfekte, faqet e reklamimit të produkteve dhe ato të shitblerjeve kanë një kategori më vete për lajmërimet e shitjeve të biçikletave të përdorura. Në të tilla faqe, një biçikletë shumë e mirë gjendet mesatarisht 10,000 lekë. Shitjet e tyre, që janë në numër të konsiderueshëm, arrijnë gati interesin e mjeteve teknologjike si celulari, pohojnë përfaqësues të ‘Njoftimefalas.com’.
Biçikletat, delja e zezë e mjeteve të transportit në vend
Mungesa e infrastrukturës dhe aksidentet janë dy arsyet kryesore që e shndërrojnë biçikletën në “delen e zezë” të transportit në vendin tonë. Ndonëse me kalimin e viteve janë shtuar vendet pedestrale në rrugët kryesore në kryeqytet, mbipopullimi në shumë zona në Tiranë e ka bërë të vështirë udhëtimin me biçikletë. Ndërsa në qytetet më të vogla si Shkodra dhe Durrësi vihet re një përdorim më i gjerë i biçikletave, duke qenë se qendrat e qyteteve ofrojnë mundësi që të lëvizin më me lehtësi. Banorët në këto dy qytete tregojnë se kushtet janë të mira për të aksesuar punën, shkollën etj., me anë të një biçiklete. Ndërsa dyqanet e shitjeve me pakicë në këto dy qytete ofrojnë biçikleta me çmime më të lira se sa në Tiranë. Në Shkodër, një i interesuar mund të blejë një biçikletë edhe me 8,000 lekë, duke qenë se ata pohojnë se biçikletat i marrin direkt nga Italia dhe Mali i Zi. Ndërsa në Durrës, përfaqësuesit e një dyqani shitjeje pranë qendrës tregojnë se më së shumti, biçikletat blihen për fëmijët, shifrat për të cilët shkojnë në 5,000-7,000 lekë, si dhe për moshat e mëdha, duke përjashtuar kështu përdorimin e tyre nga të rinjtë.
Pse biçikleta është më ekonomike?
Kushton më pak të blesh një biçikletë se sa një makinë. Një biçikletë ka nevojë për një minimum mirëmbajtje dhe jo taksa, ndryshe nga një makinë.
Nuk kërkon karburant
Përdorimi i biçikletës përmirëson shëndetin ndjeshëm duke ulur mundësitë e kurimit (shpenzimeve të shëndetit).
Përfitimet ekonomike nga përdorimi i biçikletave
Biçikletat nxisin zhvillimin e shitjeve
Sipas një studimi të fundit të zhvilluar nga një firmë konsulte europiane COWI, përdoruesit e biçikletave janë ata që shpenzojnë më së shumti në dyqanet që janë ndërtuar në zonat ku shëtitet, me rreth 50% më tepër në qytete të mëdha dhe rreth 25% në qytete të vogla.
Studimi tregon se përdoruesit e biçikletave vizitojnë dyqanet shumë më tepër se sa çdo udhëtar tjetër, sidomos ata të makinave dhe mjeteve të transportit publik.
Qytetet aktive janë qytetet më me prosperitet
Aftësia e një qyteti për të qenë ekonomikisht i kompletuar varet nga të pasurit një popullatë aktive, tregon një studim i fundit.
Kur njerëzit lëvizin më tepër, citon raporti nga ‘Nike’ dhe disa universitete nëpër botë, krimi, ndotja dhe trafiku ulen ndjeshëm. Nga ana tjetër, produktiviteti, performanca në shkollë dhe punë, vlera e pronës, shëndeti dhe të qenët mirë përmirësohet drastikisht.
Rritet vlera e pronës
Një raport i drejtuar nga Instituti Memphis në vitin 2014 tregon se në zonat e ndara për ecje dhe biçikleta nëpër botë, trendi është që të shtohen dyqanet, qendrat tregtare, të rritet vlera e tokës dhe e shtëpive, të shumtë zgjedhin të jetojnë në zona të tilla, duke u rritur kërkesa dhe si pasojë, çmimet./monitor/