Kryediplomatët e shteteve anëtare, nën drejtimin e Presidencës belge do të diskutojnë të martën në Bruksel për të ardhmen e BE-së. Në këtë takim me fokus sundimin e ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit përfaqësohen edhe shtetet kandidate ndër to edhe Shqipëria e përfaqësuar nga kryediplomati Hasani.
Për më shumë se dhjetë vite BE-ja mbeti një klub i mbyllur, ku vendet aspirante ishin rreshtuar në pritje për të hyrë. Por pushtimi rus i Ukrainës e ka ndryshuar rrënjësisht situatën. Në dhjetorin e kaluar BE çeli negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë si edhe i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit. BE-ja tani po e sheh zgjerimin si një instrument sigurie.
Entuziazmi i ri i Brukselit për zgjerim shoqërohet me frikën se zgjerimi do t’i vërë disa nga anëtarët dhe qytetarët e BE-së në një disavantazh ekonomik.
BE-ja e shpenzon pjesën më të madhe të buxhetit për zhvillimin rajonal dhe bujqësinë. Shtetet anëtare që janë më pak të pasura marrin më shumë para nga BE-ja sesa paguajnë.
Sipas një llogaritjeje të brendshme nga Këshilli Evropian, pranimi i të gjithë kandidatëve do t’i kushtonte BE-së rreth 256 miliardë euro, vetëm Ukraina vlerësohet se do të merrte 186 miliardë euro gjatë shtatë viteve, por këtu nuk janë përfshirë kostot e rindërtimit të vendit pas shkatërrimeve të luftës./Klan News