Policia e Kosovës do të reduktojë praninë e efektivëve rreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës.
Në bashkëpunim me KFOR dhe EULEX u vendos që efektivët të ulen me 25%, pasi u vlerësua se situata në veri të Kosovës është më e qetë.
Ky vendim nga qeveria e Kosovës, vjen pasi Albin Kurti lajmëroi më 11 korrik se ka rënë dakord që do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe me qëllim për të ulur tensionet me Serbinë. Dakordësia u arrit me 10 korrik në Bratislavë në një takim ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një njoftim për mediat policia bëri të ditur se “Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore. Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga sot fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri”.