Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të rinumërohen 50 kuti të votimit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Këshilli i Operacioneve Zgjedhore ka rekomanduar që 15 kuti votimi, në mbarë Kosovën, të rinumërohen për shkak se sipas Arianit Elshanit, përfaqësuesit të Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, ka pasur mospërputhje në listën e nënshkrimeve.
“Janë identifikuar 15 vendvotime në të cilat ka mospërputhje mes një nënshkrimi dhe dy nënshkrime, pra dy nënshkrime në listën e nënshkrimeve dhe një fletëvotim ose dy më pak, ose më shumë, në kutinë e votimit”, tha Elshani.
Rekomandimi i dytë ishte për rinumërimin e 35 kutive në komunën e Vushtrrisë, të cilat më herët ishin numëruar me vendim të prokurorit.
Ky rekomandim ka të bëjë me mospërputhje që kishte në rezultatet e kandidatëve për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Këtë raport të mospërputhjeve apo të ndryshimeve mes rezultateve në Qendrat Komunale të Numërimit dhe rezultatet e dala nga hetimi në Qendrën për Numërim dhe Rezultate ka ardhur si rekomandim që 35 vendvotime për të cilat vërehet, pra është me e dukshme diferenca mes votave të kandidatëve, të shkojnë në rinumërim të plotë në Vushtrri për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët”, tha Elshani.
Nga Sekretariati i KQZ-së thanë se janë të gatshëm që rinumërimi i këtyre kutive të votimit të nisë pasditen e së hënës, përkatësisht nga ora 16:00.