Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji zëvendësdrejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq.
Ai dyshohet për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, si dhe pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale”, u tha në njoftimin e Gjykatës Themelore.
Avokati i tij, Ljubomir Pantoviq, tha se mbrojtja do ta apelojë këtë vendim të Themelores.
“Është pranuar kërkesa e prokurorisë, në të cilën pretendohet se Igor Popoviq ka nxitur përçarje dhe urrejtje në fjalimin që e mbajti para dy ditësh”, tha Pantoviq.
Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi sipas autoriteteve në Kosovë gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.
Pas këtij fjalimi në Rahovec ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore.
Reagimet e Beogradit pas vendimit
Pas caktimit të paraburgimit prej një muaji kanë reaguar zyrtarë serbë në Beograd dhe Lista Serbe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi zyrtar i ka njoftuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për caktimin e paraburgimit ndaj Igor Popoviqit, duke shtuar se “kjo mund të ketë pasoja të paparashikueshme”.
“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, tha Vuçiq gjatë një interviste në televizionin Pink në Beograd.
Ai theksoi se do të përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin, por paralajmëroi se do të reagojë “në mënyrë të ashpër dhe të fuqishme, sepse ky terror duhet të ndalet në një moment”.
Ndërkaq, Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, e cilësoi vendimin e Gjykatës Themelore si “vendim politik”.
Sipas njoftimit të Listës Serbe, Popoviqi është ndaluar sepse ka folur për “vuajtjet e popullit serb dhe ka kërkuar që përgjegjësit për krimet kundër bashkëkombësve tanë – të cilët ende janë të lirë – të dalin para drejtësisë”.
“Arrestimi i Igor Popoviqit është një sulm ndaj dialogut, një sulm ndaj vendosmërisë së shtetit serb për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura përmes dialogut. Po ashtu, është dëshmi e qasjes joserioze dhe të papërgjegjshme të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët po e tolerojnë arbitraritetin, autokracinë dhe persekutimin e gjithçkaje që është serbe nga [kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin] Kurti”, thuhet në njoftim.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha po ashtu se caktimi i masës së paraburgimit ndaj Popoviqit është “vendim politik”, duke akuzuar autoritetet kosovare se duan t’u “ndalojnë serbëve në Kosovë jo vetëm lirinë e shprehjes, por edhe vetë jetën”.
“Çdo mundësi për marrëveshje dhe negociata me Prishtinën bie poshtë pas këtij vendimi skandaloz, të paligjshëm dhe të papranueshëm, derisa Popoviq të lirohet. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare janë bashkëfajtorë në këtë vendim ndaj Igor Popoviqit, përfaqësues i lartë i shtetit serb”, thuhet në njoftimin e kësaj zyreje.
Po ashtu, nga kjo zyrë thanë se gjatë ditëve të fundit, përmes kontakteve intensive të përditshme, kanë marrë disa siguri nga përfaqësues ndërkombëtarë se nuk ekziston bazë ligjore që Igor Popoviq të mbahet në paraburgim, dhe se po bëhet gjithçka që ai të lirohet.
Pas ndalimit të Popoviqit, më 18 korrik ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi seKosova, si shtet demokratik dhe sovran, nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë e çka më pak të luftës së udhëhequr nga UÇK-ja.
“Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, u shpreh ai.
UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.
Kategoritë e dala nga lufta, Organizata e Veteranëve të UÇK-së (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar ashpër ndaj, siç kanë thënë, pranisë së ndihmësit të Petar Petkoviqit në Kosovë.
Ato, po ashtu, kanë thënë se “çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri”.
Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.
Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.
Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte./rel