Spiralet e kontraceptimit Mirena janë bërë objekt diskutimi së fundmi në Francë, pasi gjithnjë e më shumë gra janë ankuar për efekte negative. Përdoruese të shumta madje bëjnë thirrje për konfiskimin e tyre nga autoritetet e shëndetësisë. Marrje mendsh, gjendje depresive, ulje e libidos dhe rënie flokësh janë disa nga efektet e përmendura nga pacientet, që kanë krijuar madje një grup në Facebook të quajtur “Mirena Action”.
Ndryshe nga spiralet klasike, spiralet Mirena janë hormonale: ato vendosen nga një mjek në mitër dhe veprojnë duke lëshuar disa hormone për një periudhë 5-vjeçare. Sipas një përdorueseje, problemet filluan që në vitin e parë të vendosjes së spirales Mirena dhe pas heqjes së saj, falë trajtimit me disa medikamente të tjera, jeta e saj është rikthyer në normalitet. Pas më shumë se 220 ankesash, autoritetet e mjekësisë kanë nisur hetimin për pajisjen që përdoret prej thuajse 20 vitesh.