Pas përfshirjes së punonjësit të policisë në një konflikt fizik në Vlorë, ka reaguar në rrjetin X kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë shkruan se ‘pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali’.
Sa i takon planit të masave për reformën e kontrollit të territorit, Rama thotë se punonjësve të shtetit nuk do t’u tolerohen shkeljet e që cënojnë komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit, qoftë jashtë orëve të shërbimit
‘Ndërkohë në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cënojnë komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit’, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, çdo punonjës shteti që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi.
‘Shembull: Çdo punonjës i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim (përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë) do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në një punë në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh’ shkruan Rama në rrjetin X.