Rreth 1500 delegatë socialsitë kanë votuar për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të asamblesë kombëtare të PS. Nga gara ku ishin 300 kandidatë u zgjodhën 175 prej tyre të cilët sëbashku me deputetët e PS, kryetarët e bashkive të PS dhe 61 kryetarët e degëve të PS formësojnë përbërjen e re të asamblesë së PS.
Por ajo që ra në sy në listën e anëtarëve të rinj ishte votimi i deputetit Koço Kokëdhima i cili si deputet e fiton automatikisht të drejtën e të qenit anëtar i Asamblesë. Por, sekretari organziativ në PS, Blendi Klosi, sqaroi se për këtë rast ka vendosur komisioni i Garancive Statutore, që i jep të drejtë çdo anëtari që është automatikisht anëtarë i Asamblesë, që nëse e kërkon, mund të votohet nga Kongresi.
Kjo lëvizje taktike e deputetit Koço Kokëdhima lidhet me faktin se ai mund të humbasë mandatin e deputetit, pasi opozita e ka akuzuar se ka përfituar fonde publike dhe tashmë çështja ndodhet në Gjykatën Kushtetuese. Nëse Koço Kokëdhima e humb mandatin e deputetit, automatikisht përjashtohet edhe nga Asambleja Kombëtare. Në këto kushte vetë deputeti ka kërkuar të votohet nga delegatët e Kongresit për të siguruar anëtarsimin në këtë strukturë të rëndësishme të PS, e cila pritet të konstituohet në fillim të muajit maj.