Drejtuesi i Grupit të Punës për hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, Arben Rakipi u ndal edhe te neni 536 në pavarësinë e gjykatës që ka shqetësuar gazetarët. Në nen përmendet një dënim deri në tre vite burg për komentet që bëhen mbi një çështje gjyqësore përmes të cilave synohet të ushtrohet ndikim.
Sipas Rakipit, kjo dispozitë nuk lidhet me profesionin e gazetarit dhe nuk ka asnjë tendencë kundrejt tyre.
“Pavarësia e gjykatës dhe ndikimi në sistem. Unë dua të siguroj të gjithë ata që u përfshinë, edhe gazetarët sigurisht, që nuk ka asnjë tendencë, do të ishte kriminale nëse do të ishte. Ne jemi të bindur që në proporcionalitetin e interesave publikë në këtë çështje prevalon interesi i drejtësisë. Çështjet e fjalës së lirë janë gjithmonë të ndjeshme, dhe ekuilibri është gjithnjë prezent. Dispozita qartazi nuk e lidh këtë çështje me profesionin e gazetarit. Por lidhet me qëllimin e mbrapsht, qëllimin e dezinformimit, qëllimin për të ndikuar në vendimin e gjykatës, presionin. Të gjitha këto që thashë nuk kanë lidhje me misionin e gazetarëve dhe nuk mund t’i takojë atyre. Sistemi ynë gjyqësor goditet ditë pas dite.”, tha Rakipi.
Çfarë thotë neni 536
Ndikimi në pavarësinë e gjykatës
Bërja apo publikimi i komenteve me anë të të cilave synohet haptazi të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nëpërmjet krijimit të rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së saj, shtrembërimit të qëllimshëm të cilësisë së provave apo paraqitjes së tyre në kundërshtim me përmbajtjen e vërtetë, imponimit për të krijuar pabesueshmërinë në publik të aftësisë së gjykatës për të qenë e pavarur, të kryera për çdo interes apo përfitim, për të dëmtuar apo favorizuar persona të veçantë, e kryer përpara dhënies së një vendimi gjyqësor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Ai u ndal edhe te neni 865 për shpifjen, për të cilin tha:
“Sa i përket shpifjes, kërkesa për të përjashtuar gazetarin për mendimin tim është fyese për gazetarët. Shpifja nuk lidhet me punën e tyre. Shqipërisë nuk mund t’i vijë e keqja nga parashikimi i shpifjes në Kod Penal. Unë mendoj që pikëpamja të zbutet dhe të vendoset një ekuilibër i interesave në këtë. Unë uroj që çështja të mos rrezikojë standardet juridike. Dekriminalizimi i shpifjes nuk është standard ndërkombëtar. Depenalizimi i shpifjes është një orientim politik dhe gjyqësor, që ka filluar të përkrahet në disa vende, në pakicën e vendeve të BE dhe të OSBE-së. Vendet e rajonit e kanë depenalizuar. Duke mos qenë standard atëherë i shtohen pikët plotësimit të nevojave të vendit, na duhet apo jo? Megjithatë konsultimi publik do të na ndihmojë në këtë drejtim. Mund të dëgjohet edhe mendimi i viktimave. Mund të bëhet një analizë e përhapjes, sa e përhapur është shpifja dhe kush shpif? Kjo e fundit mund të ndihmojë për të mos vlerësuar si subjekte profesione të caktuara.”, shtoi Rakipi.