Diplomatja shqiptare në OKB, Blerina Zoto thotë se ka tre muaj që i është ndërprerë paga për shkak të mosmarrëveshjeve mes Ministrisë së Jashtme dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga e cila varet.
Diplomatja ka shkruar një letër të hapur, botuar sot tek “Panorama” ku sqaron se është në OKB për të drejtat e romëve dhe egjiptianëve. Sipas saj ndaj data 1 Prill nuk merr pagë, i është ndërprerë siguracioni i detyrueshëm që merr një punonjës i punësuar jashtë shtetit, ndërsa agjencia imobiliare në Zvicër, tek e cila ambasada paguan qiranë e shtëpisë, i ka dërguar njoftim se do ta nxjerrin jashtë, pasi nuk është paguar qiraja.
Ndërkohë që ka një mandat katërvjeçar që e ka marrë në prill të 2015, Zoto ka ardhur në Tiranë që të takojë dy ministrat nga varet, Klosi dhe Bushati, por është kthyer e zhgënjyer se për dy javë të qëndrimit të saj nuk është pritur nga asnjë prej tyre, duke e lënë diplomaten tonë në Gjenevë në pamundësi financiare për të kryer detyrën.