Policia ka arrestuar pronarine një lokali në fier dhe dy persona të tjerë pasi kishin përshtatur lokalin për konsumim të lëndëve narkotike.
Mësohet se në pranga kanë rënë E. Gj., 46 vjeç, banues në Dërmënas, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut”, L. G., 30 vjeç, banues në Pojan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe D. Ll., 28 vjeç, banues në Pojan, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në Pojan, në lokalin në pronësi të shtetasit E. Gj., në të cilin ndodheshin edhe shtetasit L. G. i dyshuar se furnizonte me lëndë narkotike pronarin e lokalit dhe D. Ll. i punësuar si kamarier, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë narkotike dhe kanabis, 1 armë gjahu me një sasi fishekësh dhe 18.380 euro që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndës narkotike.
Në vijim të operacionit, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit L. G., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.5 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtraie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë./ Opinion.al