Media shtetërore e Koresë së Veriut njoftoi se vendi ka testuar me sukses dy raketa të reja mbrojtjeje ajrore, gjatë një stërvitjeje të mbikëqyrur personalisht nga udhëheqësi Kim Jong Un.
Sipas KCNA, raketat kanë “aftësi të lartë luftarake” dhe përdorin “teknologji unike”, edhe pse nuk u dhanë detaje të tjera teknike. Testi, i kryer të shtunën, “provoi se tiparet teknologjike të dy llojeve të predhave janë shumë të përshtatshme për të shkatërruar objektiva ajrorë të ndryshëm”, përfshirë dronë dhe raketa lundrimi, theksoi agjencia.
Testi i Koresë së Veriut erdhi vetëm disa orë pasi Koreja e Jugut konfirmoi se kishte hapur zjarr paralajmërues ndaj ushtarëve verikoreanë që kaluan për pak minuta vijën ndarëse në Zonën e Demilitarizuar (DMZ). Sipas Yonhap, rreth 30 ushtarë të Phenianit hynë në territorin jugor përpara se të tërhiqeshin.
Pheniani e cilësoi reagimin e Seulit si një “provokim të qëllimshëm”.
Ngjarjet ndodhin në një kohë kur SHBA dhe Koreja e Jugut po zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë, të cilat Kim i ka përshkruar si “më armiqësoret dhe konfrontuese deri më tani”.
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të takohet të hënën në Uashington me homologun e ri jugkorean, Lee Jae Myung, i cili gjatë fushatës premtoi përmirësim të marrëdhënieve ndërkoreane. Megjithatë, përpjekjet e tij për dialog janë refuzuar nga motra e Kim Jong Un, duke sinjalizuar vijim të tensioneve.
Më herët këtë muaj, Kim premtoi të përshpejtojë programin bërthamor, ndërsa në janar Pheniani pretendoi se kishte testuar një raketë balistike me rreze të mesme, të pajisur me kokë hipersonike.
Zyrtarë jugkoreanë kanë ngritur shqetësime se Rusia mund t’i ketë transferuar teknologji raketore Koresë së Veriut në këmbim të mbështetjes ushtarake të Pyongyangut për Moskën në luftën në Ukrainë – por mbetet e paqartë nëse testet e fundit përfshijnë teknologji ruse.
Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut mbeten teknikisht ende në luftë, pasi Lufta e Koresë (1950–1953) përfundoi me armëpushim, jo me traktat paqeje. Prej asaj kohe, gadishulli ka qenë një nga zonat më të militarizuara në botë, me shpërthime sporadike dhune, edhe pse vite të tëra kanë kaluar pa shkëmbime të drejtpërdrejta zjarri.