Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të humbasë një tjetër anëtar pasi Kolegji i Posacëm i Apelimit ka vendosur sot shkarkimin nga detyra të anëtarit të KLP-së, Arben Dollapaj.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Luan Daci relator, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo vendosën që të rrëzojë vendimin e mëparshëm të KPK që e kishte konfirmuar në detyrë Dollapajn.
Komisioneri Publik Florian Ballhysa kishte kërkuar shkarkimin e Dollapajt. Në seancën dëgjimore ai vuri në dukje se për çështjet e ngritura, përfshi shtëpinë në Tiranë, një banesë në Valbonë, huatë dhe dhuratat nga të afërm Dollapaj kishte bërë “deklarim të pamjaftueshëm”, ndërsa përfitimi prej tij i një kredie të butë kishte cënuar etikën e magjistratit.
Dollapaj është anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe është i dyti i shkarkuar pas Besnik Canit. /Opinion.al