Dy punonjës të Policisë në Komisariatin e Policisë Rinas janë arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Bëhet me dije se të arrestuarit janë: A.D., 31 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Aeroporti Rinas dhe E.B., 24 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Rinas.
Arrestimi i tyre u krye pasi ata dyshohet se kanë shfrytëzuar pozicionin e tyre të punës dhe kanë kërkuar dhe përfituar vlera monetare në formë rryshfeti, nga një shtetase që udhëtonte në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Njoftimi i AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka kryer arrestimin në flagrancë të dy punonjësve të Policisë në Komisariatin e Policisë Rinas, të dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.
Ata janë:
– Inspektor A.D., 31 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Aeroporti Rinas;
– Inspektor E.B., 24 vjeç, me detyrë Kontrollor në Komisariatin e Policisë Rinas.
Arrestimi u krye pasi gjatë veprimeve hetimore procedurale, të kryera për verifikimin e informacioneve mbi përfshirjen në veprime korruptive, u krijuan dyshime të arsyeshme, bazuar në prova se punonjësit e policisë, duke shfrytëzuar funksionin organik, kanë kërkuar dhe përfituar vlera monetare në formë rryshfeti, nga një shtetase që udhëtonte në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë.